Accessibility links

Breaking News

Historia e Ditës së Falenderimeve


Mes 21 shtatorit dhe 11 nëntorit të vitit 1621, 53 burra, gra dhe fëmijë anglezë u bashkuan me rreth 90 anëtarë të fiseve indianë të Amerikës në një festë për të falënderuar sezonin e tyre të parë të korrje-shirjeve në vendin e tyre të ri, Koloninë e Plimuthit, në Masaçusetsin e sotëm.

Kishte shumë gjëra për të cilat ata ishin mirënjohës. Vetëm një vit më parë, në mes të nëntorit të vitit 1620, ata ishin pjesë e një grupi prej 102 kolonësh dhe ekuipazhit prej 30 anëtarësh të anijes Mayflower që arritën në brigjet e Amerikës së Veriut. Ata ishin Puritanë, separatistë fetarë, të cilët konsideroheshin si radikalë dhe për këtë arsye, të paligjshëm nga qeveria e Anglisë, vendi i tyre i lindjes.

Të lodhur nga persekutimi në Evropë, ata u nisën drejt Kolonisë së Virxhinias. Por dimri i detyroi të ankoroheshin në Kejp Kod, mbi 350 kilometra në veri-lindje të destinacionit të tyre të zgjedhur.

Sidoqoftë, kolonët u vendosën të ngrejnë vendbanimin e tyre në tokën përballë gjirit, ku u ankorua anija e tyre në Kejp Kod dhe filluan të krijonin një komunitet ku të mund të jetonin sipas regullave të besimit të tyre fetar.

Viti i parë ishte i vështirë dhe pothuaj i dha fund përpjekjes për të filluar koloninë. Brenda një viti, gati gjysma e 102 kolonëve humbi jetën nga uria, sëmundjet dhe kushtet e vështira të motit. Por vera solli të korrura të mira dhe në vjeshtë, 22 burra, 4 gra, 9 djem të rinj, 5 vajza të reja dhe 13 fëmijë të vegjël, festuan me fqinjët e tyre vendas të fisit Uampanoag të indianëve të Amerikës.

Banorët e Masaçusetsit nuk ishin të parët që pretenduan se shteti i tyre ishte i pari që festoi festën e Falenderimeve. Dokumente të shumta historike tregojnë se eksploruesit spanjollë dhe kolonistë të tjerë anglezë shënuan me shërbesa fetare festën e Falënderimeve në

Florida, Teksas, Mejn dhe Virxhinia shumë kohë para vitit 1620. Megjithatë, këto ishin festime të izoluara lokale që nuk i mbijetuan testit të kohës. Por, falë lobimit të fuqishëm nga shteti i Masaçusetsit, Dita e Falënderimeve u bë festë zyrtare në të gjitha shtetet në vitin 1863, përmes një dekreti të presidentit Abraham Lincoln. Dita e festës u zhvendos në javën e katërt të nëntorit nga Presidenti Franklin Delano Roosevelt.

Festimi i Ditës së Falënderimeve filloi si një lutje falenderuese nga emigrantët të cilët, pa mbështetjen e fqinjëve të tyre vendas, mund të mos kishin mbijetuar vitin e tyre të parë në Amerikën e Veriut. Sot, megjithëse Dita e Falënderimeve tradicionalisht festohet me mbledhje të familjes dhe miqve, për shkak të pandemisë së Covid-19 shumë njerëz do të festojnë të vetëm në shtëpit e tyre, duke ofruar edhe një herë falenderimet e tyre për një shans për një të ardhme më të mirë.

XS
SM
MD
LG