Accessibility links

Breaking News

Një vendim antidemokratik në Gjeorgji


(FILE) Demonstrators gather at the Parliamentary building during an opposition protest against the foreign influence bill in Tbilisi, Georgia, Tuesday, May 28, 2024.
(FILE) Demonstrators gather at the Parliamentary building during an opposition protest against the foreign influence bill in Tbilisi, Georgia, Tuesday, May 28, 2024.

“Veprimet e partisë në pushtet dhe retorika antiperëndimore kërcënojnë rrugën demokratike të Gjeorgjisë, sigurinë e ardhshme ekonomike, anëtarësimin në BE dhe gjithashtu vënë në rrezik marrëdhëniet SHBA-Gjeorgji”, tha zëdhënësi Miller.

Më 28 maj, parlamenti gjeorgjian votoi për të anuluar veton e Presidentes së Gjeorgjisë Salome Zourabichvili ndaj një projektligji që ajo dhe kritikët e tjerë e konsiderojnë si një goditje ndaj demokracisë. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan e quajti projektligjin "një ligj të agjentëve të huaj të stilit të Kremlinit, që bie ndesh me vlerat demokratike".

Sipas projektligjit, nëse një organizatë joqeveritare merr të paktën 20 për qind të financimit të saj nga jashtë, ajo duhet të regjistrohet dhe të deklarojë se "përmbush interesat e një fuqie të huaj". Organizatat që preken nga ky ligji gjithashtu duhet të ofrojnë informacion të detajuar financiar.

Projektligji, që mbështetet nga Partia Ëndrra Gjeorgjiane në pushtet, ka shkaktuar protesta disa javore në Gjeorgji. Përpara votimit të fundit në parlament, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken paralajmëroi përmes një deklarate se një ligj i tillë “do të kufizonte lirinë e tubimit dhe shprehjes, do të stigmatizonte organizatat që u shërbejnë qytetarëve të Gjeorgjisë dhe do të pengonte organizatat e medias që punojnë për t’u siguruar gjeorgjianëve qasje në informacion me cilësi të lartë.” Ai shprehu keqardhjen për "taktikat shtypëse të autoriteteve gjeorgjiane për t’i dhënë fund kundërshtimeve legjitime" dhe njoftoi se Shtetet e Bashkuara po zbatojnë një politikë të re të kufizimit të vizave për Gjeorgjinë "që do të prekë individët që janë përgjegjës ose bashkëpunëtorë në minimin e demokracisë në Gjeorgji, si dhe pjesëtarët e familjeve të tyre."

Pas votimit, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, dënoi veprimin e parlamentit të Gjeorgjisë, i cili në fakt e ktheu projektligjin në ligj.

“Me miratimin e këtij ligji, Partia Ëndrra Gjeorgjiane në pushtet e largoi vendin nga rruga e integrimit evropian dhe injoroi aspiratat euro-atlantike të popullit gjeorgjian, që ka dalë në rrugë për javë të tëra për të kundërshtuar këtë ligj. Veprimet e partisë në pushtet dhe retorika antiperëndimore kërcënojnë rrugën demokratike të Gjeorgjisë, sigurinë e ardhshme ekonomike, anëtarësimin në BE dhe gjithashtu vënë në rrezik marrëdhëniet SHBA-Gjeorgji.”

Zëdhënësi Miller vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara kanë nisur gjithashtu një rishikim gjithëpërfshirës të bashkëpunimit dypalësh midis Shteteve të Bashkuara dhe Gjeorgjisë.

"Siç tha Sekretari Blinken javën e kaluar, ne do të marrim parasysh veprimet e Partisë Ëndrra Gjeorgjiane gjatë analizimit të veprimeve që do të marrim për këtë çështje."

“Shtetet e Bashkuara”, deklaroi zëdhënësi Miller, “vazhdojnë të qëndrojnë pranë popullit gjeorgjian ndërsa ai punon për një të ardhme demokratike dhe perëndimore. Është për të ardhur keq që udhëheqësit e Gjeorgjisë po zgjedhin të heqin dorë nga hapat e nevojshëm për të çuar përpara Gjeorgjinë në drejtimin perëndimor, që e dëshiron populli i saj”.

XS
SM
MD
LG