Accessibility links

Breaking News

Përpjekje urgjente për uljen e tensioneve dhe arritjen e një armëpushimi në Lindjen e Mesme


"Arritja e një armëpushimi do të çonte në lirimin e pengjeve, ofrimin e një mundësie për të ndërtuar një paqe më të qëndrueshme për Gazën, perspektiva të tjera më gjerësisht në drejtim të uljes së tensioneve, përmirësimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë", tha Sekretari Blinken.

Shtetet e Bashkuara po punojnë në mënyrë intensive për të ulur tensionet në Lindjen e Mesme. Konflikti i 10 muajve të fundit filloi pasi grupi terrorist i Hamasit i mbështetur nga Irani sulmoi Izraelin, duke vrarë mbi 1200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke marrë peng më shumë se 240 të tjerë. Operacionet pasuese ushtarake të Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës kanë shkaktuar vdekjen e mijëra palestinezëve, si dhe vuajtje të jashtëzakonshme nga zhvendosja e civilëve dhe mungesa e ushqimit.

Ditët e fundit, tensionet janë rritur edhe më shumë midis Izraelit dhe organizatave të mbështetura nga Irani në rajon, duke përfshirë Hamasin, Hezbollahun dhe grupint Huthi, pas vrasjes nga Izraeli të një komandanti të Hezbollahut në Bejrut dhe udhëheqësit të Hamasit në Teheran.

Në një konferencë për shtypin, Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se Shtetet e Bashkuara "kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me partnerët në rajon dhe më gjerë."

"Në ato biseda, ne kemi dëgjuar një konsensus të qartë: askush nuk duhet të përshkallëzojë këtë konflikt."

Sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara kanë qenë të angazhuara në diplomaci intensive me aleatët dhe partnerët “duke komunikuar atë mesazh direkt me Iranin. Ne kemi dërguar këtë mesazh drejtpërdrejt tek Izraeli.”

“Angazhimi ynë për sigurinë e Izraelit është i hekurt. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë Izraelin kundër sulmeve nga grupet terroriste apo mbështetësit e tyre, ashtu siç do të vazhdojmë të mbrojmë trupat tona. Por të gjithë në rajon duhet ta kuptojnë se sulmet e mëtejshme do të zvarrisnin konfliktin, paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë për të gjithë”, tha ai. “Është urgjente që të gjithë në rajon të bëjnë një vlerësim real të situatës, ta kuptojnë rrezikun e veprimeve të gabuara dhe të marrin vendime që do të ulnin tensionet, jo do t'i përkeqësojnë ato.

Mënyra më e mirë për ta bërë këtë, tha Sekretari i Shtetit Blinken, është që Izraeli dhe Hamasi të arrijnë një marrëveshje armëpushimi për konfliktin në Rripin e Gazës, korniza e së cilës u propozua për herë të parë nga Izraeli dhe u njoftua nga Presidenti Joe Biden dy muaj më parë.

“Ky është momenti vendimtar. Negociatat kanë arritur në fazën e tyre përfundimtare dhe ne besojmë fuqishëm se ato duhet të arrijnë në pikën e fundit shumë shpejt”, tha Sekretari Blinken.

"Dhe kjo," deklaroi sekretari Blinken, "përveç ndryshimit për njerëzit në Rripin e Gazës, lirimit të pengjeve, ofrimit të një mundësie për të ndërtuar një paqe më të qëndrueshme për Gazën, hap gjithashtu mundësi të tjera, perspektiva të tjera më gjerësisht në drejtim të uljes së tensioneve, përmirësimit të gjendjes së sigurisë dhe qëndrueshmërisë së vërtetë. Ne jemi të përqendruar në këto çështje.”

XS
SM
MD
LG