Në fjalimin e tij të fundit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të
Bashkuara, Presidenti amerikan Joe Biden foli për sfidën kryesore me të
cilën përballen udhëheqësit botërorë.
“Sprova jonë është të sigurohemi që forcat që na mbajnë së bashku të
jenë më të forta se ato që na ndajnë, që parimet e partneritetit që vijmë
këtu çdo vit për t’i afirmuar, mund t’u rezistojnë sfidave, që qendra të
mbahet sërish”, tha ai.
Presidenti Biden përmendi sfidat aktuale dhe tmerret që i shoqërojnë:
ndër to, agresioni i Rusisë kundër Ukrainës; sulmi terrorist i Hamasit
ndaj Izraelit; vuajtjet e të pafajshmëve në Izrael dhe Gazë; lufta civile e
Sudanit; dhe trysnia ushtarake e Kinës ndaj vendeve në Detin e Kinës
Jugore.
Por Shtetet e Bashkuara dhe partnerët po përgjigjen me forcë dhe unitet.
“Mbrojtëm Kartën e OKB-së dhe siguruam mbijetesën e Ukrainës si një
komb i lirë”, tha ai. “Lajmi i mirë është se lufta e Putinit ka dështuar në
qëllimin e tij kryesor. Ai u nis për ta shkatërruar Ukrainën, por Ukraina
është ende e lirë... Por ne nuk mund të heqim dorë”.
“Po punojmë gjithashtu për të sjellë një nivel më të madh paqeje dhe
stabiliteti në Lindjen e Mesme”, tha Presidenti Biden.
“Parashtrova me Katarin dhe Egjiptin një armëpushim dhe marrëveshje
pengjesh. Është miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Tani është
koha që palët të finalizojnë kushtet e tyre, të sjellin pengjet në shtëpi, të
sjellin siguri për Izraelin dhe një Gazë të çliruar nga kontrolli i Hamasit,
të lehtësojnë vuajtjet në Gazë dhe t'i japin fund kësaj lufte”.
Presidenti Biden tha se: "Përparimi drejt paqes do të na vendosë në një
pozitë më të fortë për t'u marrë me kërcënimin e vazhdueshëm që vjen
nga Irani".
"Së bashku, duhet t'ua mohojmë oksigjenin terroristëve - bashkëpunëtorëve të tij terroristë, të cilët kanë bërë thirrje për 7 tetorë të tjerë, dhe të sigurohemi që Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore".
Shtetet e Bashkuara, G7 dhe partnerë të tjerë janë gjithashtu të fokusuar
tek vendet në zhvillim.
“Po punojmë për t’i ndihmuar vendet të ndërtojnë infrastrukturën e tyre,
për të kaluar drejt energjisë së pastër, për transformimin e tyre dixhital
për të hedhur themele të reja ekonomike për një të ardhme të begatë”,
tha ai.
Presidenti Biden i kërkoi Asamblesë së Përgjithshme që të kujtojë
gjithmonë parimin vendimtar të udhëheqjes: “Janë njerëzit tuaj, janë
njerëzit tuaj ata që kanë më shumë rëndësi. Mos e harroni kurrë; ne jemi
këtu për t'i shërbyer popullit, jo anasjelltas”.