Gjatë vizitës në Shqipëri, Sekretari i Shtetit Antony Blinken lavdëroi partneritetin gjithnjë më të fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Ai theksoi, në veçanti faktin se “Shqipëria ka qenë që nga dita e parë mbështetëse e fuqishme e Ukrainës.”
“Ishte njëra ndër vendet e para që dërgoi ndihma ushtarake në Ukrainë në fillim të agresionit rus – armë, municion, makineri kundër minave dhe aktualisht është ndër dhjetë vendet kryesore për kokë banori që mbështet Ukrainën dhe sigurinë”.
Gjatë 15 viteve ai anëtare e NATO-s, Shqipëria ka dhënë kontribute të rëndësishme për aleancën, tha Sekretari Blinken:
“Forcat shqiptare po ndihmojnë në ruajtjen e paqes në Kosovë për të parandaluar agresionin rus në krahun lindor të NATO-s. Shqipëria do të inaugurojë bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë muajin e ardhshëm.”
Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria po ashtu po forcojnë partneritetin e tyre dypalësh në fushën e sigurisë, tha Sekretari Blinken.
“Shqiptarët dhe amerikanët kanë luftuar krah për krah nga Afganistani deri në Irak. Pilotët shqiptarë përdorin helikopterët amerikanë ‘Blackhawk’. Forcat speciale amerikane po stërvitin homologët e tyre shqiptarë dhe po u ndihmojnë të ruajnë Ballkanin. Pas sulmeve kibernetike iraniane që goditën infrastrukturën qenësore shqiptare së fundmi, Shtetet e Bashkuara mbështetën Shqipërinë në aspektin e mbrojtjes kibernetike, duke ndihmuar në shkollimin e ekspertëve, përditësimin e pajisjeve, përmirësimin e teknologjisë në mënyrë që t’u rezistojnë më mirë sulmeve të ardhshme.”
Në përpjekje për të nxitur reformën në drejtësi në Shqipëri, Sekretari Blinken u takua me gjykatësit dhe prokurorët kryesorë. “Do të vazhdojmë ta mbështesim fuqishëm Shqipërinë në këto përpjekje, që janë hapa thelbësorë në përpjekjet e Tiranës për anët anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe ajo çfarë njerëzit e Shqipërisë meritojnë”, tha Sekretari Blinken.
Demokracitë vazhdojnë të kërcënohen nga dezinformimi, që nxit përçarje dhe dëmton besueshmërinë tek institucionet demokratike. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria nënshkruan një marrëveshje mirëkuptimi për hartimin e një qasjeje të përbashkët për t’iu kundërpërgjigjur shtrembërimeve të rrezikshme e gënjeshtrave dhe për të ndërtuar një ekosistem të qëndrueshëm informacioni.”
Sa i përket rritjes ekonomike, Sekretari Blinken nënvizoi trefishimin e investimeve amerikane në Shqipëri që nga viti 2019 dhe rritjen e tyre ndërsa mjedisi e biznesit vazhdon të përmirësohet.
“Kompanitë tona po shqyrtojnë projekte për prodhimin e energjisë përmes hidrocentraleve, erës dhe energjisë diellore. Këto projekte kanë potencial të madh të shumëfishojnë burimet shqiptare të energjisë elektrike dhe burimet për t’i ndihmuar planetit tonë të përbashkët dhe për të krijuar rritje gjithëpërfshirëse ekonomike për të gjithë.”
Shtetet e Bashkuara mbesin të angazhuara në përpjekjet për të zgjeruar marrëdhëniet tashmë të ngushta me Shqipërinë gjatë viteve në vazhdim.