Accessibility links

Breaking News

Lufta ndaj korrupsionit është një prioritet i Shteteve të Bashkuara


Çrrënjosja e korrupsionit është një element kyç i axhendës së Shteteve të Bashkuara për demokracinë, tha Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështjen e Narkotikëve dhe Zbatimit të Shtetit Ligjor, William Brownfield.

Shtetet e Bashkuara po punojnë për të udhëhequr nëpërmjet shembullit të tyre në luftën ndaj korrupsionit. Kjo përfshin programet për t'ua ndaluar hyrjen zyrtarëve të huaj të korruptuar në Shtetet e Bashkuara, si dhe përpjekjet ndaj ushtruesve të korrupsionit dhe përfitimeve të tyre të paligjshme, si brenda Shteteve të Bashkuara ashtu edhe nëpër botë.

Departamenti i Drejtësisë ka kthyer rreth 143 milionë dollarë pasuri të sekuestruara që nga viti 2004, dhe është në proces të përcaktimit të statusit të pasurive të vjedhura me vlerë mbi 1 miliard dollarë. Ky është një tjetër shembull i zbatimit të Ligjit për Praktikat e Korrupsionit të Huaj të Shteteve të Bashkuara, i cili lufton praktikën e korrupsionit të zyrtarëve të huaj.

Gjatë viteve të fundit, Departamenti i Shtetit vendosi të zgjerojë iniciativat e tij anti-korrupsion, me Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) që menaxhon programet anti-korrupsion në mbarë globin. Në Ukrainë, INL mbështeti përpjekjet e Ministrisë së Brendshme për të rekrutuar, kontrolluar dhe trajnuar 7 mijë oficerë të rinj për patrullat. Si rezultat, policia tani gëzon një nivel miratimi prej 85% në radhët e qytetarëve ukrainas.

Pati gjithashtu progres domethënës në Guatemalë gjatë viteve 2015 dhe 2016. Hetimet e Komisionit Ndërkombëtar Kundër Pandëshkueshmërisë në Guatemalë, për të cilin Shtetet e Bashkuara kanë qenë donatori kryesor që nga viti 2008, mundësuan arrestimet dhe shpërbërjen e zinxhirëve të korrupsionit brenda autoritetit vendor të taksave, sistemit penitenciar, policisë civile kombëtare, Institutin e Sigurimeve Shëndetësore dhe Sociale, dhe në sektorë të tjerë. Mbi të gjitha, Otto Perez Molina dha dorëheqjen nga presidenca dhe u burgos pas një procesi hetimor.

Luftimi dhe parandalimi i korrupsionit nuk është përgjegjësi vetëm e qeverisë. Kjo kërkon një përqasje nga poshtë-lart për të përmbushur kërkesat e qytetarëve për drejtësi dhe llogaridhënie. Me këtë në mendje, Shtetet e Bashkuara po luftojnë për të zgjeruar rolin e shoqërisë civile dhe për t'i fuqizuar qytetarët për mbajtjen përgjegjëse të qeverisë së tyre. Në Meksikë, Shtetet e Bashkuara mbështesin trajnimin e gazetarëve investigativë për zbulimin e korrupsionit në nivel lokal. Qytetarët, gazetarët dhe shoqëria civile së bashku duhet të fuqizohen për të ekspozuar praktikat korruptive dhe për t'u ndjerë aq të sigurtë sa të kërkojnë ngritjen e akuzave ndaj autorëve.

Luftimi i korrupsionit nuk është thjesht një luftë morale për shoqëri më etike dhe më të drejta, tha Ndihmës Sekretari Brownfield.

"Është një luftë që duhet ta zhvillojmë si brenda kufijve tanë, ashtu edhe përkrah partnerëve tanë ndërkombëtarë për të mbrojtur rritjen ekonomike dhe stabilitetin, sigurinë dhe të ardhmen tonë".

*Komenti pasqyron pikëpamjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG