Në një video mesazh në hapje të Konferencës së dhjetë të Konventës së OKB-së Kundër Korrupsionit, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se korrupsioni kërcënon përpjekjet për qeverisje të mirë, llogaridhënie dhe transparencë, që janë “jetike për sigurinë tonë kombëtare dhe punën për qytetarët tanë.”
“Korrupsioni përkeqëson pabarazinë dhe polarizimin politik. Korrupsioni minon reagimin tonë ndaj krizave si pandemitë dhe fatkeqësitë natyrore. Çdo dollarë i vjedhur është një goditje ndaj investimeve në shkollat, spitalet, bizneset dhe pensionet tona”, tha ai.
“Korrupsioni dëmton besimin e qytetarëve tek qeveria dhe njëri-tjetri, shkakton polarizim politik, përçarje të komuniteteve, përkeqëson krimin dhe konfliktin. Korrupsioni gjithashtu mund të përdoret si armë nga vende dhe grupe që synojnë të dëmtojnë sigurinë, ekonominë dhe sistemin tonë politik”.
“Ne e dimë se korrupsioni ka pasoja më të rënda për më të pambrojturit, për njerëzit që kanë më së shumti nevojë për ndihmën dhe mbështetjen tonë, por që pavarësisht se sa shumë punojnë, sistemi nuk i lejon të përparojnë”, tha ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield.
“Së dyti, Shtetet e Bashkuara ofrojnë një ndihmë prej 252 milionë dollarësh për vendet e tjera për të luftuar korrupsionin”, tha ajo. “Së treti, Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë në përpjekje për të nxitur transparencën financiare dhe integritetin, veçanërisht në sektorët që janë në rrezik të lartë nga korrupsioni”.
“Administrata jonë po punon në një projektligj, që do të forconte organet e zbatimit të ligjit dhe ato të lëshimit të vizave për të vënë në shënjestër rastet kundër korrupsionet”, tha ambasadorja Thomas-Greenfield.
“Ndonëse korrupsioni është një kancer, ai është një lloj kanceri që mund të luftohet. Konventa Kundër Korrupsionit ofron një kornizë të nevojshme për të luftuar këtë kërcënim kombëtar dhe ndërkombëtar. Është në dorën tonë tani për të luftuar, që në 20 vitet e ardhshme të ketë më shumë llogaridhënie dhe transparencë. Në këtë mënyrë, ne mund të avancojmë paqen, dinjitetin, të drejtat e të gjithë njerëzve, paqen dhe sigurinë në të gjithë botën”.
Korrupsioni është një abuzim i pushtetit, që minon shoqëritë e qëndrueshme, të sigurta dhe funksionale. Për të ndihmuar në pakësimin e këtij dëmi, në 2003 OKB-ja miratoi Konventën Kundër Korrupsionit, një traktat ndërkombëtar kundër korrupsionit, i miratuar nga 187 vende.