Accessibility links

Breaking News

Mbrojtja e të drejtave të grave në Afganistan


(FILE) An Afghan burqa-clad woman walks past an energy drink advertisement at Kandahar airport in Kandahar, on August 29, 2024.
(FILE) An Afghan burqa-clad woman walks past an energy drink advertisement at Kandahar airport in Kandahar, on August 29, 2024.

“Qytetarët afganë, veçanërisht gratë dhe vajzat, kanë vuajtur për një kohë shumë të gjatë”, thuhet në deklaratën e përbashkët. “Nga dita në ditë, gratë dhe vajzat afgane po humbin mundësitë dhe shpresën për të ardhmen e tyre. Kjo është e papranueshme.”

Gjatë tre viteve të fundit, regjimi i talebanëve ka shtypur gratë dhe vajzat, duke u hequr të drejtat e tyre më themelore, madje duke e bërë të paligjshëm shprehjen e mendimit të tyre jashtë shtëpive të tyre në Afganistan. Në fund të gushtit, të gjitha dekretet e regjimit të talebanëve që kufizojnë të drejtat e grave u prezantuan në një manifest prej 114 faqesh.

Në përgjigje të këtij veprimi, Shtetet e Bashkuara së bashku me njëmbëdhjetë vende të tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit lëshuan një deklaratë të përbashkët duke dënuar “në termat më të fortë diskriminimin e vazhdueshëm sistematik gjinor nga talebanët dhe shtypjen e grave dhe vajzave në Afganistan. Direktivat e reja konfirmojnë dhe zgjerojnë kufizimet mbi sjelljet personale dhe u japin inspektorëve kompetenca të gjera për zbatimin e tyre”, thuhet në deklaratë.

Këshilli i Sigurimit ka diskutuar mbi situatën e tmerrshme të të drejtave të njeriut në Afganistan që nga marrja e pushtetit nga talebanët tre vjet më parë, dhe ka ngritur një zë të bashkuar në shumë raste kundër veprimeve të tyre. Ndër të tjera, Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi njëzëri rezolutën 2681 në prill të vitit 2023, e cila bën thirrje për pjesëmarrje të plotë, të barabartë, kuptimplote dhe të sigurt të grave dhe vajzave në të gjitha proceset në Afganistan.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera nënshkruese të deklaratës “u bëjnë thirrje talebanëve që të ndryshojnë me shpejtësi të gjitha politikat dhe praktikat që kufizojnë të drejtat e grave dhe liritë e tyre themelore”. Talebanët duhet t’i dëgjojnë dhe t'u përgjigjen zërave të grave dhe vajzave afgane duke respektuar të drejtat e tyre për arsimim, punësim, lirinë e shprehjes dhe atë të lëvizjes. Respektimi i këtyre të drejtave është parakusht për një Afganistan të qëndrueshëm, paqësor dhe të begatë, theksohet në deklaratë.

Të gjitha shtetet dhe organizatat duhet të përdorin ndikimin e tyre për të nxitur një ndryshim urgjent të këtyre politikave dhe praktikave. Veprimet e talebanëve vetëm minojnë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për t'u angazhuar me ata.

Afganistani është angazhuar të respektojë Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe është palë në një sërë traktatesh për të drejtat e njeriut, përfshirë Konventën për Eliminimin e të gjitha formave të Diskriminimit të Grave. “Detyrimet e Afganistanit, sipas ligjit ndërkombëtar, duhet të përmbushen”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

“Qytetarët afganë, veçanërisht gratë dhe vajzat, kanë vuajtur për një kohë shumë të gjatë”, thuhet në deklaratë. “Nga dita në ditë, gratë dhe vajzat afgane po humbin mundësitë dhe shpresën për të ardhmen e tyre. Kjo është e papranueshme. Ne jemi të përkushtuar të bëjmë maksimumin për ta trajtuar në mënyrë gjithëpërfshirëse gjendjen e tyre dhe do të vazhdojmë ta ndjekim nga afër situatën atje.”

XS
SM
MD
LG