Accessibility links

Breaking News

SHBA, sanksione ndaj individëve të tjerë për përfshirje në shkeljen e të drejtave të njeriut


(FILE) A Taliban fighter stands guard as women wait to receive food rations in Kabul, Afghanistan.
(FILE) A Taliban fighter stands guard as women wait to receive food rations in Kabul, Afghanistan.

Shtetet e Bashkuara këtë muaj shënuan Ditën e të Drejtave të Njeriut dhe 75 vjetorin e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut duke ndaluar dhënien e vizave dhe duke vendosur sanksione ndaj 37 individëve në 13 vende.

Me këto veprime “Shtetet e Bashkuara po trajtojnë disa nga sfidat më të mëdha dhe format më të rënda të shkeljes së të drejtave të njeriut në botë, përfshirë dhunën seksuale në zonat e konfliktit, punën e detyruar dhe shtypjen transnacionale”, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken përmes një deklarate.

Shumica e këtyre masave të reja kanë në shënjestër individë, të cilët janë përgjegjës për dhunë gjinore, shtypjen e vajzave dhe grave në nivel global dhe përfshijnë komisionerë të rretheve dhe një guvernator në Sudanin e Jugut, forcat e të cilit janë përgjegjëse për përdhunim të grave dhe udhëheqësit e Talibanëve të përfshirë në ndalimin e arsimit të mesëm për gratë.

“Regjimi iranian vazhdon të kryejë shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut brenda dhe jashtë vendit të tij”, tha Sekretari Blinken. “Shkeljet e këtij regjimi përfshijnë shtypjen e disidentëve dhe protestuesve paqësorë me forcë vdekjeprurëse, arrestime arbitrare, torturë si dhe përgjim të disidentëve jashtë vendit, frikësim të tyre dhe masa të tjera vdekjeprurëse ndaj tyre”. Në përgjigje të këtyre veprimeve, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj dy oficerëve të shërbimit iranian të zbulimit, të përfshirë në rekrutimin e individëve për komplot ndaj kundërshtarëve të regjimit në Shtetet e Bashkuara, përfshirë ndaj zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të qeverisë amerikane, dhe për aktivitete përgjimi ndaj qendrave fetare, bizneseve dhe qendrave të tjera.

Departamenti i Shtetit i dërgoi gjithashtu Kongresit raportin mbi të drejtat e njeriut për ujgurët dhe Departamenti i Thesarit vendosi sanksione ndaj dy zyrtarëve të qeverisë së Kinës për shkelje serioze të të drejtave të njeriut në Xinjiang.

Departamenti i Shtetit po rishqyrton, zgjeron politikën e kufizimit të vizave për Zimbabvenë, Sirinë dhe Ugandën për të nxitur llogaridhënien për zyrtarët qeveritarë dhe të tjerët që janë të përfshirë në shkeljen e të drejtave të njeriut dhe veprime të tjera të papranueshme.

Katër udhëheqës të bandave kriminale në Haiti, që janë përfshirë në shkeljen e të drejtave të njeriut, përfshirë dhunë seksuale, dhe pesë udhëheqës të grupeve të armatosura në Republikën Demokratike të Kongos janë shtuar në listën e personave ndaj të cilëve janë vendosur sanksione. Këto masa i shtohen përpjekjeve të tjera të Shteteve të Bashkuara kundër aktiviteteve kriminale në Haiti, përfshirë programin e Departamentit të Shtetit për të dhënë shpërblime, i cili ka ofruar deri në një dhe dy milionë dollarë për informacione, që mund të çojnë në arrestimin e udhëheqësve të bandave kriminale Joseph Wilson dhe Vitel’homme Innocent.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përdorin të gjitha mjetet për të nxitur llogaridhënien dhe për të sinjalizuar mbështetjen e fortë amerikane për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut.

XS
SM
MD
LG