Më 24 gusht, Ukraina festoi tridhjetë e tre vjetorin e pavarësisë së saj nga Bashkimi Sovjetik. Por kjo datë shënon një ngjarje shumë më të rëndë, tridhjetë mujorin e fillimit të sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë në Ukrainë në përpjekje për të ndryshuar kursin e zgjedhur nga populli ukrainas dhe për ta detyruar Ukrainën të kthehet nën sundimin drakonian të regjimit të Moskës.
"Populli i Ukrainës po lufton, duke sfiduar përpjekjen e Kremlinit për të ndryshuar kufijtë e Ukrainës me forcë", tha Robert Wood, Përfaqësuesi amerikan për Çështjet e Posaçme Politike në OKB. "Ata po luftojnë me guxim dhe heroikisht ndonëse Rusia vazhdon të godasë brutalisht infrastrukturën kritike të Ukrainës, siç bëri gjatë fundjavës së kaluar, duke nisur sulmin më të madh ajror që nga fillimi i luftës, me qindra
raketa dhe dronë, duke vrarë dhjetëra civilë dhe duke dëmtuar objektet energjetike.”
“Kremlini po rrezikon Centralin Bërthamor të Zaporizhës. Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të pranojë kërkesën e njëqind anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe t'ia kthejë kontrollin e centralit bërthamor autoriteteve të ligjshme dhe kompetente të Ukrainës. Rusia nuk mund dhe nuk do ta nënshtrojë Ukrainën”, tha ambasadori Wood. “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën kundër agresionit të Rusisë, ndërsa ajo përpiqet të mbrojë pavarësinë e saj.”
“Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara bënë përparim konkret duke nënshkruar një marrëveshje dypalëshe historike të sigurisë në qershor. Por ne nuk jemi të vetëm. Në kuadër të Grupit për Ukrainën, 32 aleatë dhe partnerë të NATO-s u zotuan të mbështesin nevojat ushtarake të menjëhershme dhe afatgjata të Ukrainës.
“Dita e Pavarësisë së Ukrainës shërben si një kujtesë për atë që është në rrezik: parimet themelore të sovranitetit dhe integritetin territorial”, tha ambasadori Wood.
“Angazhimi ynë ndaj atyre parimeve, si angazhimi ynë ndaj Ukrainës, nuk do të lëkundet. Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë në krah të Ukrainës ndërsa ajo kërkon një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në përputhje me Kartën e OKB-së. Dhe kur udhëheqësit e botës vijnë në Nju Jork … për të riafirmuar përkushtimin e tyre ndaj Kartës së OKB-së, ata po ashtu do të konfirmojnë mbështetjen e tyre për një parim bazë: Rusia nuk mund të ndryshojë kufijtë e Ukrainës me forcë”.
“Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Rusisë edhe një herë që të ndalë sulmet e saj të pamëshirshme kundër Ukrainës dhe të tërheqë menjëherë forcat e saj nga territori i Ukrainës”, tha ambasadori Wood. "Ne shpresojmë që vitin e ardhshëm, ukrainasit do të jenë në gjendje ta festojnë pavarësinë e tyre në paqe."
"Ne shpresojmë që vitin e ardhshëm, ukrainasit do të jenë në gjendje ta festojnë pavarësinë e tyre në paqe", tha ambasadori Wood.