Fatmirësisht, plumbi i nisur për të arriti vetëm ta plagosë në veshin e djathtë. Por, një tjetër shtetas amerikan u vra dhe disa të tjerë u plagosën rëndë nga personi i armatosur.
Në një fjalim nga Zyra Ovale, presidenti Joe Biden theksoi: “Ne nuk mundemi – nuk duhet të shkojmë në këtë drejtim në Amerikë”.
“Nuk ka vend në Amerikë për këtë lloj dhune apo çfarëdo lloji dhune ndonjëherë. Pikë. Pa përjashtime. Nuk mund të lejojmë që kjo lloj dhune të bëhet e pranueshme”.
Presidenti Biden vuri në dukje se “retorika politike në këtë vend është bërë tepër e nxehtë. Është koha për t’u qetësuar”, theksoi ai. “Dhe e kemi të gjithë përgjegjësinë për këtë”.
Ndërsa “mosmarrëveshja është e pashmangshme në demokracinë amerikane”, tha presidenti Biden, politika nuk duhet të bëhet “një fushë e vërtetë beteje”.
“Mendoj se politika duhet të jetë një arenë për debat paqësor, në përmbushje të drejtësisë, për të marrë vendime të udhëhequra nga Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta jonë. Ne jemi për një Amerikë jo të ekstremizmit dhe zemëratës, por të mirësisë dhe hijeshisë”.
Në demokracinë amerikane, “ne debatojmë dhe kemi mosdakortësi. Ne krahasojmë dhe përballim karakterin e kandidatëve, historikun, çështjet dhe axhendat, si dhe vizionin për Amerikën”, tha presidenti Biden.
“Por në Amerikë, ne i zgjidhim dallimet tona tek kutia e votimit... jo me plumba. Fuqia për ta ndryshuar Amerikën gjendet gjithnjë në duart e popullit, jo në duart e një vrasësi të ardhshëm”, tha presidenti Biden.
“Që nga fillimi, etërit tanë kuptuan fuqinë e pasionit dhe kështu krijuan një demokraci që i dha arsyes dhe balancës shansin të mbizotërojë ndaj forcës së egër”, shpjegoi presidenti Biden.
“Kjo është ajo çfarë duhet të jetë Amerika, një demokraci amerikane ku argumentat jepen në mirëbesim, një demokraci amerikane ku funksionimi i shtetit ligjor respektohet, një demokraci amerikane ku dinjiteti dhe loja sipas rregullave nuk janë thjesht nocione të vakëta, por janë realitete të gjalla, të vërteta”.
“Ua kemi borxh këtë atyre që ishin para nesh, atyre që dhanë jetën për këtë vend. I detyrohemi vetes tonë. U detyrohemi fëmijëve dhe nipërve tanë”.