Një vit pasi ushtria e Vladimir Putinit hyri në Ukrainë për të nisur një luftë brutale, Sekretari amerikan i Shtetit diskutoi me ministrat e jashtëm të Gjermanisë dhe Ukrainës në Munih të Gjermanisë vizionin për të ardhmen e Ukrainës. Tre diplomatët ranë dakord se lufta do të përfundojë pasi Rusia t’i jap fund luftimeve dhe të tërheqë trupat e saj.
Por pyetja është se deri ku duhet të tërhiqet makineria ruse e luftës para se të fillojë paqja në Ukrainë? A përfundon lufta sapo Rusia të tërheqë trupat e saj në pozicionet e para shkurtit të vitit 2022? Apo luftimet do të pushojnë vetëm pasi ushtria e Putinit të tërhiqet në pozicionet e saj përpara pushtimit të gadishullit ukrainas të Krimesë në shkurt të vitit 2014?
Kjo varet nga populli ukrainas. “Ne do të mbështesim vendimet e miqve tanë ukrainas për të ardhmen e vendit të tyre”, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken. Por “çdo marrëveshje e paqes duhet të jetë në përputhje me parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara”.
“Në thelb është kundër interesave të çdo vendi tjetër në mbarë botën që lufta të përfundojë me një rezultat që në një farë mënyre justifikon kapjen me forcë të territorit, që e legjitimon atë”, tha ai. “Nëse e bëjmë këtë, ne do të hapim kutinë e Pandorës në mbarë botën dhe çdo agresor i mundshëm do të arrijë në përfundimin se: Nëse Rusia e bëri këtë pa u ndëshkuar, edhe ne mund ta bëjmë këtë. Dhe kjo nuk është në interesin e askujt, sepse është një recetë për një botë konflikti.”
Ajo që është në interesin tonë të përbashkët, tha Sekretari Blinken, është një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme:
“Ne duhet të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për t'u siguruar që Rusia thjesht nuk do ta përsërisë të njejtën gjë pas një ose pesë viteve. Ndër të tjera, kjo do të thotë të sigurohesh që Ukraina ka kapacitetin për të frenuar agresionin dhe, nëse është e nevojshme, për të mbrojtur veten në mënyrë efektive. Pra, edhe pse po bëjmë gjithçka që mundemi për t'i ofruar Ukrainës ndihmën që i nevojitet tani për t'u përballur me agresionin rus, ne duhet të mendojmë, dhe jemi duke e bërë këtë, se si duhet të duket e ardhmja pas luftës për t’u siguruar që ne të kemi siguri dhe stabilitet për ukrainasit dhe për Evropën.”
“Nuk kemi asnjë dyshim për fitoren dhe suksesin e Ukrainës. Dhe ka një arsye të thjeshtë dhe të fortë për këtë", tha Sekretari Blinken. “Pavarësisht përpjekjeve të tjera, përfshirë mbështetjen që ne po ofrojmë, dallimi më i madh i vetëm është se ukrainasit po luftojnë për vendin e tyre, për të ardhmen e tyre, për tokën e tyre. Rusët nuk janë duke bërë këtë. Dhe ky do të jetë dallimi më i madh.”
Deri ku duhet të tërhiqet makineria ruse e luftës para se të fillojë paqja në Ukrainë?