Ndërsa bota i afrohet përvjetorit të tretë të fillimit të luftës Rusi-Ukrainë, "mesazhi ynë është i qartë: gjakderdhja duhet të ndalet dhe kjo luftë duhet të përfundojë", deklaroi Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth në Takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës në Bruksel.
“Presidenti Trump synon t'i japë fund kësaj lufte me diplomaci dhe duke sjellë Rusinë dhe Ukrainën në tavolinën e negociatave. Dhe Departamenti i Mbrojtjes do të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi.”
"Ne do t'i japim fund kësaj lufte shkatërruese dhe do të vendosim një paqe të qëndrueshme duke kombinuar forcën aleate me një vlerësim realist të situatës në fushën e betejës", tha Sekretari Hegseth.
“Ashtu si ju, ne duam një Ukrainë sovrane dhe të begatë. Por ne duhet të fillojmë duke e pranuar se kthimi në kufijtë e Ukrainës para vitit 2014 është një objektiv jorealist. Përpjekjet për arritjen e këtij qëllimi vetëm do të zgjasnin luftën dhe do të shtonin vuajtjet.”
"Shtetet e Bashkuara nuk besojnë se anëtarësimi në NATO për Ukrainën është rezultat real i një zgjidhjeje të negociuar", tha Sekretari Hegseth.
“Në vend të kësaj, çdo garanci sigurie duhet të mbështetet nga trupa të afta evropiane dhe jo-evropiane. Nëse këto trupa dislokohen si paqeruajtës në Ukrainë, ato duhet të vendosen si pjesë e një misioni që nuk do të drejtohej nga NATO dhe nuk do kishte detyrim ndaj nenit të pestë të aleancës veriatltantike. ”
"Ruajtja e sigurisë në Evropë duhet të jetë një detyrim i domosdoshëm për anëtarët evropianë të NATO-s", theksoi Sekretari Hegseth.
“Në kuadër të kësaj, Evropa duhet të sigurojë pjesën dërrmuese të ndihmës së ardhshme ushtarake dhe jo-ushtarake për Ukrainën. ...Kjo do të kërkonte pjesërisht biseda të sinqerta me njerëzit tuaj mbi mënyrën se si ky kërcënim mund të përballohet vetëm duke shpenzuar më shumë për mbrojtjen. Dy për qind (e prodhimit të brendshëm bruto) nuk mjaftojnë. Presidenti Trump ka bërë thirrje për shpenzime në fushën e mbrojtjes në nivel 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto dhe unë jam dakord me këtë”.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara i japin përparësi frenimit të luftës me Kinën në Paqësor, "aleatët evropianë duhet të marrin më shumë përgjegjësi udhëheqëse në këtë front", theksoi Sekretari Hegseth. "Së bashku, ne mund të ndajmë punët për të nxjerrë maksimumin nga avantazhet tona si në Evropë ashtu edhe në Paqësor."
"Aleanca jonë transatlantike ka qëndruar për dekada", tha Sekretari Hegseth, "dhe ne presim që ajo të vazhdojë edhe për brezat që do të vijnë."
“Por Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë më një marrëdhënie të çekuilibruar që inkurajon varësinë. Përkundrazi, marrëdhënia jonë do t'i japë përparësi fuqizimit të Evropës që ajo të mbajë përgjegjësinë për sigurinë e saj. Presidenti Trump pret të punojë së bashku për të vazhduar këtë diskutim të sinqertë mes miqsh dhe për të arritur paqen përmes forcës së bashku.”