Masa për pezullimin e përkohshëm të sanksioneve lejon Irakun të bëjë depozita financiare me llogari të kufizuara bankare, në të cilat Irani ka qasje për t’i përdorur vetëm për nevoja humanitare. Iraku ka mbledhur një borxh prej 10 miliardë dollarësh për importet e karburantit iranian dhe për këtë arsye Irani herë pas here ndërpret furnizimin e Irakut me gaz natyror.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller tha se Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar përkohësisht 20 sanksione që lidhen me pagesat e Irakut për importet e karburantit iranian dhe vendimi për këtë është marrë nga administrata e kaluar amerikane. Qëllimi i këtij vendimi është pakësimi i varësisë së Irakut ndaj importeve të karburantit iranian.
Zoti Miller gjithashtu tha se është gjithashtu e rëndësishme që Iranit t’i lejohet qasja në këto fonde për të blerë ushqime dhe ilaçe, një gjë e mirë për popullin iranian, “me të cilin nuk jemi në konflikt.”
“Ne kemi probleme me regjimin iranian edhe aktivitetet e tij për dëmtimin e paqes. Me apo pa këto masa, Irani do të vazhdojë të financojë aktivitetet armiqësore. Kjo nuk ka ndryshuar as në vitet e kaluara. Veprimet armiqësore të Iranit nuk janë ndikuar nga përfitimet humanitare.”
Lidhur me aktivitetet keqdashëse të Iranit, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta mbajnë qeverinë e Iranit përgjegjëse për këto veprime.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby theksoi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara lidhur me këtë duke thënë: “Ne kemi shtuar praninë në rajon. Ne kemi vendosur sanksione në dy vitet e fundit ndaj 400 entiteteve iraniane të lidhura me përpjekjet e tyre për të shkaktuar paqëndrueshmëri në rajon, shtypjen e protestuesve, mbështetjen e Rusisë dhe kërcënimin e rrugëve detare në rajoni e Gjirit Persik.”
“Askush nuk po i injoron veprimet destabilizuese të Iranit”, tha zoti Kirby. “Ne do të vazhdojmë të ushtrojmë trysni ndaj tyre.”
Iraku dhe populli Iranian përfitojnë nga zgjatja e pezullimit të përkohshëm të një pjese të sanksioneve
Administrata e Presidentit Joe Biden ka vendosur të zgjasë për 120 ditë një pezullim të përkohshëm të sanksioneve, që lejon Irakun të paguajë për karburantin e nevojshëm nga Irani pa u ndeshur me pasojat e sanksioneve amerikane ndaj Teheranit.