Finlanda dhe Suedia janë gati të anëtarësohen zyrtarisht në NATO tha Sekretari Amerikan i Shtetit pas takimit në Uashington me ministrat e jashtëm të dy vendeve nordike.
Të dy vendet, aplikuan zyrtarisht për t’u bërë anëtarë të NATO-s në muajin maj, pas sulmit të paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës.
Në një konferencë për shtyp, Sekretari Blinken tha se “Finlanda dhe Suedia e kuptojnë se çfarë është në rrezik në këtë moment kritik për Ukrainën, NATO-n dhe mbarë botën”.
“Gjatë këtij viti Suedia dhe Finlanda i kanë dërguar Ukrainës ndihma në vlerën 1 miliard dollarë, për ta mbështetur në çështje si siguria, çështje humanitare apo të tjera. Të dyja këto vende njoftuan së fundmi paketat më të mëdha të ndihmës ushtarake. Suedezët dhe finlandezët kanë mirëpritur dhjetra mijëra ukrainas që janë zhvendosur në komunitetet e tyre”, tha Sekretari Blinken. “Si anëtarë të Bashkimit Europian, këto dy vende i janë bashkuar parnterëve tanë në vendosjen e sanksioneve të paprecedente ndaj Rusisë për të dobësuar mundësitë e saj për financimin e luftës”.
Sekretari Blinken nënvizoi se trupat ushtarake të Suedisë dhe Finlandës kanë qenë krah forcave amerikane dhe atyre të NATO-s në Kosovë, Afganistan, Irak dhe Libi dhe se kanë shërbyer thuajse pa dallim nga forcat e aleancës”.
Ai nënizoi se dy vendet do forcojnë aleancën e NATO-s jo vetëm përmes kapaciteteve ushtarake, por edhe përmes vlerave të tyre.
“Angazhim i vazhdueshëm për demokraci, respektim të ligjeve ndërkombëtare, respektim të të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor”, tha ai.
28 nga 30 vende anëtarë te NATO-s kanë ratifikuar kërkesat e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësimin në NATO, një proces që është kryer me shpejtësi. Mbetet ratifikimi nga Turqia dhe Hungaria. Sikurse vuri në dukje Sekretari amerikan i Shtetit, Suedia dhe Finlanda kanë ndërmarrë hapa konkretë për të trajtuar shqetësimet e Turqisë lidhur me çështjet e sigurisë.
“Ky proces po ecën përpara falë punës së rëndësishme që të dy vendet, të cilat së shpejti do jenë aleatë të NATO-s, kanë bërë me Turqinë. Mendoj se procesi do të vazhdojë dhe do të përmbyllet me sukses së shpejti”.
Sekretari Blinken tha se Moska po përballet me një seri dështimesh në luftën ndaj Kievit, ajo nuk ka arritur të mposhtë Ukrainën në fushën e betejës, dhe nuk ka mudur të fshijë kufijtë, identitetin dhe njerëzit e këtij vendi, si dhe forcën e tyre për t’u ringritur.
“Teksa Suedia dhe Finlanda përgatiten për t’u anëtarësuar në NATO”, tha zoti Blinken, “ai (Putin), nuk ia arriti qëllimit për të dobësuar Aleancën. Përkundrazi, e ka bërë NATO-n më të forte”.
Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Finlanda dhe Suedia janë gati të anëtarësohen zyrtarisht në NATO.