Forcat izraelite vranë udhëheqësin e Hamasit, Yahya Sinwar, organizatorin kryesor të sulmit vdekjeprurës të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit. Ai u vra më 16 tetor nga sulmet me tanke në Rafa.
Pas konfirmimit të vdekjes së tij, Nënpresidentja Kamala Harris deklaroi se "drejtësia është vënë në vend dhe si rezultat, Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe e gjithë bota janë më të sigurt". Forcat izraelite të mbrojtjes kanë vrarë disa komandantë të tjerë të lartë të Hamasit, duke përfshirë Ismail Haniyehin, ish-udhëheqësin politik të grupit palestinez dhe udhëheqës të grupit militant të Hezbollahut në Liban.
“Sinwar ishte përgjegjës për vrasjen e mijëra njerëzve të pafajshëm, përfshirë viktimat e 7 tetorit dhe pengjet e vrarë në Rripin e Gazës. Duart e tij ishin të lyera me gjak amerikan”, tha Nënpresidentja Harris.
“Sinwar ishte arkitekti i sulmit të 7 tetorit, dita më vdekjeprurëse për popullin hebre që nga Holokausti, një sulm terrorist në të cilin u vranë 1200 njerëz të pafajshëm, u ushtrua dhunë e tmerrshme seksuale dhe më shumë se 250 njerëz u rrëmbyen, duke përfshirë 7 amerikanë, të gjallë apo të vdekur, që mbeten në robëri; një sulm terrorist që shkaktoi një luftë shkatërruese në Rripin e Gazës, e cila ka shkakuar vuajtje të të rënda për shumë palestinezë të pafajshëm dhe ka destabilizuar rajonin e Lindjes së Mesme.”
"Dhe unë do t'i them çdo terroristi që vret amerikanë, kërcënon popullin amerikan ose kërcënon trupat tona ose interesat tona, se ne gjithmonë do t'ju sjellim para drejtësisë", paralajmëroi Nënpresidentja Harris.
Izraeli ka të drejtë të mbrohet dhe kërcënimi i Hamasit ndaj Izraelit duhet të eliminohet, tha Nënpresidentja Harris. Me vdekjen e Sinwarit, ka përparim të qartë drejt realizimit të këtij qëllimi.
“Ky moment na jep një mundësi për t'i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës, e cila duhet të përfundojë në mënyrë që Izraeli të jetë i sigurt, pengjet të lirohen, vuajtjet në Gaza të marrin fund dhe populli palestinez të mund të realizojë të drejtën e tij për dinjitet, siguri, liri dhe vetëvendosje. Dhe është koha që e ardhmja të fillojë pa Hamasin në pushtet.”
"Ne nuk do të heqim dorë nga këto qëllime", tha Nënpresidentja Harris, "dhe unë gjithmonë do të punoj për të krijuar një të ardhme paqeje, dinjiteti dhe sigurie për të gjithë."