Accessibility links

Breaking News

Roli i Luftës së Putinit në sigurinë globale të ushqimit


Gati dy muaj pas sulmit brutal dhe të pajustifikuar ndaj Ukrainës nga Vladimir Putin, ndikimet e luftës po ndihen shumë përtej kufijve të Ukrainës. Siguria globale e ushqimit në veçanti është gjithnjë e më në rrezik.

"Ukraina dhe Rusia janë të dyja prodhuesit kryesorë bujqësorë," tha zëvendës Sekretarja e Shtetit Wendy Sherman në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. “Tridhjetë për qind e eksporteve botërore të grurit zakonisht vijnë nga rajoni i Detit të Zi, ashtu si 20 për qind e misrit në botë dhe 75 për qind e vajit të lulediellit.

Njoftohet se marina ruse po bllokon hyrjen në portet e Ukrainës të dhjetëra anijeve që transportojnë ushqim për tregun botëror me destinacion në Mesdhe, tha zëvendës Sekretarja e Shtetit, Sherman. Rusia ka bombarduar gjithashtu të paktën tre anije tregtare civile, që lundrojnë nga Ukraina.

“Raketat dhe bombat ruse kanë dëmtuar dhe shkatërruar aeroportet e Ukrainës, linjat hekurudhore, stacionet e trenave dhe autostradat që janë kritike … për eksportimin e grurit, misrit dhe mallrave të tjera”.

Sipas ministrit të Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, "Rusia po vë në shënjestër në mënyrë aktive depot e grurit dhe objektet e magazinimit të ushqimit", tha zëvendëssekretarja Sherman. “Të gjitha këto veprime të Rusisë, po krijojnë një krizë ushqimore në Ukrainë – dhe përtej kufijve të Ukrainës”.

“Tashmë, çmimet e ushqimeve po rriten në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ndërsa Rusia po bllokon eksportet e Ukrainës. Në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikë, çmimet tashmë të larta për mallrat bazë, përfshirë grurin, janë rritur mes 20 dhe 50 për qind deri më tani këtë vit.

"Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për vendet ... të cilat mbështeten shumë në importet ukrainase për të ushqyer popullsinë e tyre," tha Zëvendës Sekretarja Sherman.

“Programi Botëror i Ushqimit tashmë po ushqen 138 milionë njerëz në më shumë se 80 vende – nga Etiopia në Afganistan, nga Sudani i Jugut në Jemen, nga Nigeria në Siri. Por tani, lufta e Putinit po rrit kostot e ofrimit të ndihmës ushqimore. Dhe Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë, FAO, vlerëson se deri në 13 milionë njerëz të tjerë në mbarë botën mund të përfundojnë në gjendjen e pasigurisë ushqimore si rezultat i sulmit rus të Ukrainës.

“Në fund të fundit, mënyra e vetme për t'i dhënë fund kësaj katastrofe humanitare është përmes një armëpushimi të qëndrueshëm dhe tërheqjes së plotë të forcave ruse nga territori ukrainas dhe larg kufijve të Ukrainës”, tha zëvendës Sekretarja Sherman.

“Ai vendim … i takon vetëm një personi dhe një njeriu. Vladimir Putini e filloi këtë luftë. Ai krijoi këtë krizë ushqimore globale. Dhe është ai që mund ta ndalojë”.

XS
SM
MD
LG