Shtetet e Bashkuara dënojnë dënimin e padrejtë nga Rusia të aktivistit të njohur të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, Oleg Orlov.
Zoti Orlov është bashkëkryetar i organizatës “Memorial”, fituese të çmimit Nobel, misioni i së cilës është dokumentimi i mizorive dhe shtypjes në epokën e Stalinit dhe ato të regjimeve pasuese sovjetike, si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Rusi sot. Organizata “Memorial” ka qenë në shënjestër të qeverisë së Vladimir Putinit për vite me rradhë, duke rezultuar në mbylljen me forcë të pjesëve kryesore të organizatës.
Oleg Orlov ishte i zëshëm në denoncimin e sulmit rus në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës. Për këtë arsye, në vitin 2023 ai u akuzua për "diskreditim të përsëritur të ushtrisë ruse" dhe një gjykatë e gjobiti atë me 150,000 rubla, rreth 1,600 dollarë. Siç ka thënë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, më 27 shkurt, autoritetet ruse, të pakënaqur me këtë dënim, "kërkuan një rigjykim të tij".
“Në gjyqin e ri, zoti Orlov mori një dënim me dy vjet e gjysmë burgim thjesht sepse ai ka folur në mënyrë paqësore dhe me guxim kundër agresionit të Rusisë në Ukrainë. Ambasadorja amerikane Lynn Tracy dhe diplomatë nga 17 vende të tjera ishin dëshmitarë të këtij gjyqi të padrejtë në Rusinë e Putinit”, tha ai.
Dënimi i zotit Orlov u bë vetëm disa ditë pasi bota mori lajmin për vdekjen në një burg arktik të rivalit kryesor politik të Putinit, Alexei Navalnit, i cili ishte dënuar me tridhjetë vjet burg. Vendimi për zotin Orlov, siç theksoi zëdhënësi Miller, përkoi edhe me 9-vjetorin e vrasjes së udhëheqësit të opozitës dhe aktivistit të demokracisë, Boris Nemtsov.
“Ashtu si Aleksey Navalny, Nemtsov ishte një zë i qartë për reforma dhe llogaridhënie, të cilin Putini e vuri në shënjestër për aktivizmin e tij. Ish-zëvendëskryeministri i Rusisë, Nemtsov ia kushtoi jetën përmirësimit të jetës së bashkëqytetarëve të tij deri në momentin kur u qëllua me armë afër Kremlinit", tha ai.
Zëdhënësi Departamentit të Shtetit vuri në dukje se angazhimi i zotit Nemtsov në mbështetje të demokracisë vazhdon të jetë një frymëzim për politikanë të tjerë dhe aktivistë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Rusi, përfshirë Vladimir Kara-Murzën, i cili tani ndodhet në një burg rus.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë me forcë shtypjen në rritje të rivalëve të brendshëm të Kremlinit”, deklaroi zëdhënësi Miller. “Së bashku me aleatët dhe partnerët, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të këmbëngulin që autoritetet ruse të lirojnë menjëherë më shumë se 680 të burgosur politikë. Dhe ne përsërisim sot mbështetjen tonë për qytetarët e guximshëm të Rusisë, të cilët vazhdojnë të punojnë për një të ardhme më të mirë për popullin rus.”