Më 8 mars, bota feston Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Kjo është një mundësi për të festuar arritjet e grave në vende të ndryshme dhe për të hedhë dritë mbi çështjet që vazhdojnë të pengojnë përparimin e grave, si diskriminimi, pabarazia gjinore, kufizimet e të drejtave riprodhuese, dhuna me bazë gjinore dhe pengesat e tjera të pjesëmarrjes së plotë të grave në shoqëri.
“Pavarësisht përparimit të arritur në dekadat e fundit, në shumë vende të botës, ende kemi shkelje të të drejtave të grave dhe vajzave, që pengon përparimin e shumë komuniteteve”, deklaroi Presidenti Joe Biden.
“E shohim në Afganistan, ku Talebanët po ndalojnë gratë dhe vajzat nga shkolla dhe puna. Në Iran, regjimi brutalisht po shtyp zërat e grave që me guxim po mbrojnë lirinë e tyre. Përballë sulmit mizor dhe të padrejtë të Rusisë ndaj Ukrainës, përfshirë përdorimin dhunës ndaj grave si armë lufte, kemi parë shumë gra që me guxim po luftojnë për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të gjithë ukrainasve.”
Gratë kanë shënuar një numër fitoresh gjatë 25 viteve të fundit, duke përfshirë përparimet në fushën e barazisë gjinore, përfaqësim politik, parandalim të vdekshmërisë së nënave dhe reformën ligjore për t’i dhënë fund dhunës kundër grave. Megjithatë në shumë shtete, gratë ende përballen me pengesa serioze në sigurimin e shërbimeve financiare përfshirë hapjen e llogarive banka dhe marrjen e për huave, të drejtat e trashëgimisë së pronës, hapjen e bizneseve, arsimin e lartë dhe punësimin jashtë shtëpisë. Shumë shpesh, ato mbeten jashtë proceseve vendimmarrëse mbi çështjet që ndikojnë në masë të madhe në jetën e tyre.
“Krijimi i mundësive për gratë dhe vajzat forcon sigurinë, qëndrueshmërinë dhe prosperitetin e të gjithëve”, tha Presidenti Biden. “Dhe ne e dimë se nuk mund të zgjidhim asnjë sfidë të madhe globale të kohës tonë pa përfshirjen e gjysmës së popullatës së botës. Kështu që ndërsa ne festojmë arritjet dhe kontributet e grave dhe vajzave në mbarë botën, duhet të riafirmojmë përkushtimin tonë për t’u siguruar se të gjithë njerëzit mund të përmbushin potencialin e tyre të plotë.”
Gratë janë njëri prej burimeve më të mëdha të pashfrytëzuara të një vendi. Secila shoqëri që synon të përparojë duhet të fillojë të fuqizojë gratë dhe të mbështesë të drejtat e tyre.
Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas duhet ta theksojmë faktin se të drejtat e grave janë të drejta të njeriut. Ne festojmë sukseset e grave dhe përtërijmë angazhimin tonë për ta bërë botën një vend, ku gratë nuk janë të përjashtuara dhe të diskriminuara, por të nderuara, të respektuara dhe të lira në përmbushjen e potencialit të tyre të plotë.