Accessibility links

Breaking News

Irani duhet të bashkëpunojë me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike


(FILE) The flag of the International Atomic Energy Agency
(FILE) The flag of the International Atomic Energy Agency

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken thotë se përpjekja e Iranit për të krijuar një program bërthamor është “një faktor i madh destabilizues që rrezikon sigurinë e vendeve të rajonit dhe më gjerë”.

Në shtator pati zhvillime pozitive dhe negative në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Një nga zhvillimet pozitive ishte lirimi nga qeveria iraniane i pesë amerikanëve që ishin ndaluar në mënyrë të paligjshme në Iran. Në këmbim të lirimit të tyre, qeveria amerikane liroi pesë iranianë që po mbaheshin në Shtetet e Bashkuara dhe i ofroi Teheranit qasje në një fond iranian prej 6 miliardë dollarë për ndihma humanitare, që ishin ngrirë në Korenë e Jugut.

Një zhvillim negativ ishte vendimi i qeverisë iraniane për të pezulluar punën e disa inspektorëve me përvojë të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi dënoi vendimin e Teheranit, i cili, sipas tij, ndikon rëndë në aftësinë e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për të kryer aktivitetet e saj të verifikimit në lidhje me programin bërthamor të Iranit. Shtetet e Bashkuara iu bashkuan Francës, Gjermanisë dhe Britanisë në një deklaratë duke denoncuar mungesën e bashkëpunimit të Iranit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Në deklaratë theksohet se "Kjo është duke ndodhur në një kohë kur Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka pyetje serioze, të shumta dhe të pazgjidhura në lidhje me materialet dhe aktivitetet bërthamore të padeklaruara në Iran, për të cilat Teherani nuk ka ofruar asnjë shpjegim për më shumë se katër vjet."

Duke folur me gazetarët, Sekretari i Shtetit Antony Blinken theksoi se përpjekja e Iranit për të krijuar një program bërthamor është “një faktor i madh destabilizues që rrezikon sigurinë e vendeve të rajonit dhe më gjerë”.

“Kjo është arsyeja pse ne jemi të vendosur, Presidenti Biden është i vendosur, që Irani të mos sigurojë kurrë një armë bërthamore”.

Sekretari Blinken theksoi se Shtetet e Bashkuara besojnë se diplomacia është mënyra më efektive për të arritur këtë qëllim.

“Ne u përpoqëm të punonim në mënyrë indirekte me Iranin, si dhe me partnerët evropianë, madje edhe me Rusinë dhe Kinën, për të parë nëse mund të ktheheshim tek marrëveshja bërthamore me Iranin, por Teherani nuk dëshironte ta bëne këtë. Pra, problemi është shumë i qartë, problemi është tek Irani.”

Sekretari Blinken ka thënë se Shtetet e Bashkuara "do të mirëpresin çdo hap që Irani ndërmerr për të ulur kërcënimin bërthamor në rritje që paraqet Teherani që kur Shtetet e Bashkuara dolën nga marrëveshja bërthamore me Iranin". Në një konferencë të fundit për shtyp, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, nënvizoi këtë pikë. "Nëse Irani është vërtet serioz në ndërmarrjen e hapave për uljen e tensioneve, gjëja e parë që do të mund të bënte do të ishte bashkëpunimi me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike", tha ai.

XS
SM
MD
LG