Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të angazhuara ndaj paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor, përfshirë përmes përkrahjes së tyre për misionin paqëruajtës të NATO-s, tha Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Linda Thomas-Greenfield.
“Është qëllimi ynë, krahas partnerëve tanë evropianë dhe palëve të tjera të interesuara, të ndihmojmë në zhvillimin e demokracisë, integrimin rajonal ekonomik, krijimin e një shoqërie dinamike shumëetnike dhe sundimin e ligjit. Nga ky këndvështrim ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet e pakoordinuara dhe përshkallëzuese. Ne u bëjmë thirrje atyre që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, të cilin Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta përkrahin fuqimisht.”
Ambasadorja Thomas-Greenfield theksoi se “është dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe jo Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara që duhet të jetë rruga për të zgjidhur çështjet që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.”
Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për planin e Kosovës të zbatojë rregulloret e ndryshuara të Bankës Qendrore të Kosovës rreth transaksioneve me para të gatshme. Ambasadorja Thomas-Greenfield bëri thirrje që “zbatimi i këtij plani të shtyhet menjëherë deri në vendosjen e procedurave të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe praktikat e qeverisjes së mirë dhe deri në informimiin e duhur të popullatës së prekur mbi procesin pas periudhës kalimtare.”
Ambasadorja Thomas-Greenfield ka shprehur shqetësimin për “veprimet e fundit, të pakoordinuara të ndërmarra nga qeveria e Kosovës, përfshirë operacionet e organeve të rendit në zyret e institucioneve që mbështeten nga Serbia në komunat në pjesën perëndimore të Kosovës dhe organizatës joqeveritare Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë.”
“Këto veprime nuk janë në përputhje me përkushtimin e Kosovës për të zgjidhur përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja çështjet që prekin mirëqenien e komunitetit minoritar serb. Dhe ato minojnë rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.”
Shtetet e Bashkuara përsërisin dënimin e sulmeve të koordinuara, të dhunshme paramilitare serbe ndaj policisë së Kosovës në afërsi të Manastirit të Banjskës më 24 shtator, në të cilat u vra një polic i Kosovës.
“Katër muaj kanë kaluar nga ky sulm dhe Serbia ende nuk i ka sjellur para drejtësisë ata që ishin përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e tij”, deklaroi Ambasadorja Thomas-Greenfield.
“I bëjmë sërish thirrje Serbisë të kërkojë përgjegjësi të plotë nga autorët dhe organizatorët e sulmit të 24 shtatorit. Serbia duhet të punojë më KFOR-in për t’u siguruar që një sulm tjetër si ky nuk mund të ndodhë më.”
Marrëveshja mbi rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është e bazuar në një numër detyrimesh ligjore që do ta bëjnë të mundur paqen mes këtyre dy vendeve.
Kosova dhe Serbia duhet të punojnë për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre
"Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet e pakoordinuara dhe përshkallëzuese", tha Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield.