Të hënën e fundit të muajit maj, amerikanët nderojnë pjesëtarët e forcave të armatosura që dhanë jetën në shërbim të vendit. Kjo ditë është një mundësi për të kujtuar sakrificat e një grupi në të mirë të të gjithëve, mirënjohja për kontributin që dhanë për mbrojtjen e vendit dhe idealeve të tij.
E kremtuar për herë të parë në vitin 1868, tre vjet pas përfundimit të Luftës Civile, kur quhej Dita e Dekorimit, ky kremtim që tani njihet si Dita Përkujtimore nuk nderon ndonjë betejë specifike apo luftë të caktuar, por është një moment kur qytetarët e këtij vendi kujtojnë sakrificat e të rënëve që u flijuan nga qyteti i tyre dhe nderojnë kujtimin e tyre duke zbukuruar varret me lule, kurora e flamuj.
Kur kjo ditë u kremtua për herë të parë, rreth 5000 vetë zbukuruan varret e 20,000 ushtarëve të Luftës Civile në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit pranë kryeqytetit Uashington, pa marrë parasysh nëse kishin luftuar për Unionin apo Konfederatën. Kjo krijoi traditën që u përhap në të gjithë vendin.
Sot qytete e komunitete në mbarë vendin e shënojnë Ditën Përkujtimore me parada ku marrin pjesë veteran dhe pjesëtarë të forcave të armatosura. Njerëzit vizitojnë varrezat e të rënëve dhe monumentet përkujtimore. Disa vënë një lulëkuqe mbi bluza për të kujtuar ata që dhanë jetën. Kjo traditë e ka zanafillën nga Lufta I Botërore, e frymëzuar nga një poezi e një ushtaraku kanadez në kujtim të bashkëluftëtarëve që gjetën vdekjen gjaatë betejës në Francë në fillim të majit 1915, kur lulëkuqet sapo kishin filluar të mbushnin fushat dhe lëndinat si dhe po mbulonin varret e të vrarëve.
Si rezultat, çdo Ditë Përkujtimore flamuj të vegjël dhe buqeta shumëngjyrëshe me lule vendosen pranë gurëve të varrit dhe pllakave përkujtimore në varreza në mbarë vendin, si nderim për heronjtë e luftrave. Edhe lulëkuqet që vënë shumë njerëz në jakën e xhaketës shërbejnë si simbol për ata që vdiqën në mbrojtje të vendit dhe idealeve që përfaqëson ky vend. Ata dhanë jetën në mbrojtje të një mënyre jetese si dhe vlerave tek të cilat besonin, duke dëshmuar me këtë sakrificë një nder e moral që do të shoqërojë përjetë emrin e tyre.