Më 25 gusht të vitit 1991, Ukraina shpalli pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik. "Po atë javë", tha Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, "Ukraina njoftoi Kombet e Bashkuara për pavarësinë e saj "bazuar në të drejtën e një kombi për vetëvendosje në përputhje me Kartën e OKB-së".
Tridhjetë e dy vjet më vonë, Ukraina po lufton me pasardhësin e Bashkimit Sovjetik, Federatën Ruse, për të ruajtur pavarësinë e saj dhe për të mbrojtur trashëgiminë e saj kulturore. “Sot, vetë ekzistenca e Ukrainës është nën sulm”, tha ambasadorja Thomas-Greenfield.
“Ukrainasit kanë luftuar me guxim për të mbrojtur sovranitetin e vendit të tyre. Për të mbrojtur lirinë, demokracinë dhe kulturën e tyre. Ata po luftojnë me guxim për të mbrojtur dhe kthyer fëmijët ukrainas që janë transferuar ose dëbuar me forcë në Rusi, Bjellorusi dhe territoret e pushtuara nga Rusia”, tha ajo.
Fëmijët janë e ardhmja dhe një vend që humb fëmijët e tij nuk ka të ardhme. Që nga fillimi i sulmit rus në shkallë të gjerë dhe që nga viti 2014, qeveria e Ukrainës vlerëson se autoritetet ruse kanë dëbuar ose zhvendosur me forcë nga shtëpitë e tyre, mbi 19500 fëmijë, “përfshirë foshnje katër muajshe”, tha ambasadorja Thomas-Greenfield.
“Fushata mizore e Rusisë vazhdon edhe sot e kësaj dite. Rusia dhe përfaqësuesit e saj ndalojnë fëmijë që përpiqen të ikin nga dhuna. Ata i kanë detyruar fëmijët të largohen nga shkollat dhe jetimoret. Dhe përfaqësuesit lokalë kanë mashtruar ose detyruar prindërit që t'i dërgojnë fëmijët e tyre në të ashtuquajturat "kampe verore". Por më vonë komunikimi me fëmijët e tyre është ndërprerë dhe fëmijët nuk u janë kthyer", tha ajo.
Fëmijët e rrëmbyer “u nënshtrohen propagandës, larjes së trurit, madje edhe trajnimit ushtarak. Disa janë nën trysni për të marrë nënshtetësinë ruse dhe të tjerët thuhet se janë birësuar nga familjet ruse”, tha ambasadori Thomas-Greenfield.
Zyrtarët rusë pretendojnë se po kryejnë 'evakuime humanitare'. "Por kjo është një shtrembërim i rëndë i realitetit dhe një përpjekje e kotë për të justifikuar atë që është e pamundur të justifikohet", tha ajo.
"Dhe le të jemi të qartë: këto mizori janë duke u orkestruar nga të gjitha nivelet e qeverisë ruse deri në krye", tha ajo. “Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhra arresti për Presidentin Vladimir Putin dhe Maria Lvova-Belova, Komisioneren Presidenciale të Rusisë për të Drejtat e Fëmijëve për dëbimin dhe transferimin e fëmijëve nga zonat e pushtuara të Ukrainës”.
“Ne duhet të kërkojmë llogaridhënie nga Rusia. Ne duhet të angazhojmë organizatat që bëjnë punë të mirë për t'i kthyer këta fëmijë tek familjet e tyre”, tha ambasadorja Thomas-Greenfield. "Dhe ne duhet t'i bëjmë thirrje Rusisë që t'i japë fund luftës së saj brutale, të respektojë
detyrimet e saj sipas ligjit ndërkombëtar dhe të kthejë menjëherë të gjithë fëmijët e Ukrainës."
Në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, Kievi lufton për të ardhmen e vendit
Qeveria e Ukrainës vlerëson se autoritetet ruse kanë dëbuar ose zhvendosur me forcë nga shtëpitë e tyre, mbi 19500 fëmijë, “përfshirë foshnje katër muajshe”, thotë ambasadorja Thomas-Greenfield.