Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar dënimin me 7 vjet burg të gazetarit Dong Yuyu në Republikën Popullore të Kinës nën akuzat e sajuara për spiunazh. Seanca gjyqësore u zhvillua me praninë e madhe të policisë ndërsa organet e shtypit dhe një diplomat amerikan nuk u lejuan të merrnin pjesë.
Gazetari Dong kishte shërbyer si zëvendësredaktor në gazetën shtetërore kineze “Guangming Daily”. Shkrimet e tij janë publikuar edhe nga edicioni kinez i gazetës amerikane “New York Time”. Në shkrimet e tij, zoti Dong shprehte mbështetjen për demokracinë kushtetuese dhe reformat politike. Ide të cilat nuk u panë me sy të mirë nga Partia Komuniste e Kinës. Gjatë karrierës së tij të gjatë në fushën e gazetarisë, zoti Dong kishte kontakte me diplomatë të huaj, studiues dhe gazetarë të tjerë.
Autoritetet kineze e arrestuan zotin Dong në një restorant në shkurt të vitit 2022 ndërsa po darkonte me një diplomat japonez. Policia kineze e liroi diplomatin pas marrjes në pyetje, ndërsa zoti Dong doli para një gjyqi me dyer të mbyllura në korrik të vitit 2023.
Sipas organizatës Reporterët pa Kufij, që kur Presidenti Xi Jinping mori pushtetin në vitin 2012, ai ka rikthyer një kulturë mediatike që të kujton epokën e Mao Ce Dunit, ku hulumtimi për informacione dhe publikimi i tyre përbën krim. Në raportin e organizatës “Reporterët Pa Kufij” mbi Lirinë e Shtypit në Botë, Kina renditet në vendin e 172-të nga 180 shtete dhe territore.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kinë, Nicholas Burns, dënoi burgosjen e gazetarit Dong përmes një postim në rrjetin X.
“Dënimi me burg i zotit Dong për ushtrimin e lirisë së tij të fjalës dhe shtypit, që garantohet nga Kushtetuta kineze për të gjithë qytetarët e saj, është i padrejtë”.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha përmes një deklarate se arrestimi dhe dënimi i zotit Dong “theksojnë dështimin e Kinës për të përmbushur angazhimet e saj në bazë ligjit ndërkombëtar dhe garancive të veta kushtetuese për të gjithë qytetarët e saj, të cilat përfshijnë të drejtën për lirinë e fjalës dhe lirinë e shtypit.”
“Ne e vlerësojmë punën e zotit Dong si gazetar dhe redaktor veteran, si dhe kontributet e tij në lidhjet mes popullit kinez dhe amerikan, përfshirë kontributin e tij në Universitetin e Harvardit”, tha zoti Miller. “Shprehim mbështetjen për zotin Dong dhe familjen e tij ndërsa bëjmë thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm dhe pa kushte”.