Në Samitin e fundit të NATO-s, 32 vendet anëtare të aleancës evidentuan thellimin e partneritetit strategjik të Kinës me Rusinë “një shqetësim të madh”.
Në deklaratën e Uashingtonit, vendet e NATO-s me një zë i bënë thirrje Kinës, “si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me një përgjegjësi të veçantë për të mbështetur qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së, të ndërpresë çdo mbështetje materiale dhe politike në përpjekjet për luftë të Rusisë.”
Por siç vërejti kohët e fundit Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan në Forumin e Sigurisë në Aspen: “Kina vazhdon të jetë një furnizues kryesor i artikujve me përdorim të dyfishtë për makinën luftarake të Rusisë”.
“Artikuj me përdorim të dyfishtë është lloj termi abstrakt. Çfarë do të thotë kjo? Janë mjetet që përdoren për armët që po vrasin ukrainasit dhe po shtypin Ukrainën”, tha ai.
“Dhe ne mendojmë se Kina duhet të ndalojë këtë furnizim, sepse ne mendojmë se është thellësisht jashtë kufijve të sjelljes së denjë”, theksoi më tej ai.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Sullivan tha se Kina nuk iu përgjigjet në mënyrë të drejtpërdrejtë shqetësimeve në lidhje me sigurimin e artikujve me përdorim të dyfishtë, që ndihmojnë makinerinë e luftës së Rusisë.
“Ne i kemi parë ata që përgjigjen kur shkojmë tek ata dhe iu themi: ‘Ja një bankë që po lehtëson një transaksion. Kjo është shqetësuese për ne. Pra ka disa çështje që ata janë të përgjegjshëm. Por tabloja më e gjerë vijon të jetë në drejtimin e gabuar nga këndvështrimi im. Ne kemi qenë mjaft transparentë për këtë çështje edhe publikisht. Dhe, natyrisht, ne ua themi këtë drejtpërdrejt edhe gjatë bisedave.”
Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar dhjetëra kompani kineze për këtë çështje.
“Për sa i përket hapave të ardhshëm”, tha Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Sullivan, “ne jemi përgatitur të shtrëngojmë masat, të aplikojmë sanksione kundër subjekteve dhe individëve të veçantë, përfshirë në Kinë, si dhe në vende të tjera. Dhe ky model do të vazhdojë ndërsa ne ecim përpara.”
Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar kanë sanksionuar gjithashtu kompanitë kineze për ndihmën që i japin Rusisë në luftën e nisur ndaj Ukrainës.
Siç ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken: “Kina nuk mund të qëndrojë në të dyja anët… Nuk mund të thuhet se dëshiron marrëdhënie më të mira me Evropën, kur në fakt po ndihmon për të nxitur kërcënimin më të madh për sigurinë e Evropës që nga fundi i Luftës së Ftohtë”.