Gratë në zonat e konfliktit, duke përfshirë Afganistanin dhe Sirinë, përballen me shkelje më të mëdha të të drejtave të tyre, vuri në dukje ambasadorja amerikane në OKB Linda Thomas-Greenfield në forumin mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të organizuar nga Delegacioni i BE-së në OKB.
“Gratë dhe vajzat afgane po përjetojnë një shtypje të përtërirë gjinore, duke përfshirë dhunën gjinore dhe atë seksuale”, paralajmëroi ambasadorja Thomas-Greenfield. “Talebanët kanë lëshuar më shumë se 80 dekrete arkaike, që përfshijnë kufizimin e lirisë së fjalës dhe ndalimin e shkollimit për vajzat mbi 12 vjeç. Zbatimi i të ashtuquajturave ‘ligje morale’ praktikisht i largon gratë nga jeta publike”.
Një shtypje e tillë institucionale është një sulm ndaj të drejtave të njeriut dhe kërcënim për sigurinë, qëndrueshmërinë dhe ekonominë e Afganistanit. Ato që ngrejnë zërin kundër këtyre ligjeve përballen me arrestime dhe dhunë nga autoritetet, tha ambasadorja Thomas-Greenfield.
Shtetet e Bashkuara kanë punuar me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Japoninë për të miratuar njëzëri një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që bën thirrje për ndryshimin e menjëhershëm të politikave dhe praktikave që kufizojnë gratë dhe vajzat në Afganistan dhe dënojnë veprimet e Talebanëve.
“Në Siri, konflikti 13-vjeçar ka dëmtuar rëndë gratë, të cilat janë përballur prej kohësh me pabarazi gjinore dhe ligje diskriminuese”, tha ambasadorja Thomas-Greenfield. “Procesi politik sirian mund të ngecë për shkak të mosveprimit të regjimit të Asadit. Por kjo është një arsye më shumë për të fuqizuar gratë siriane, të cilat mund të na nxjerrin nga ky ngërç dhe të na çojnë drejt paqes”.
“Më lejoni të jem e qartë: Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përdorin çdo mjet të mundshëm për të mbështetur gratë dhe vajzat më të pambrojtura”, tha ambasadorja Thomas-Greenfield. “Ndërsa gratë ndikohen në mënyrë joproporcionale nga konfliktet e dhunshme, ato janë gjithashtu shumë të rëndësishme në përpjekjet për t'i dhënë fund luftërat dhe për t’i frenuar ato. Kjo e vërtetë themelore është në zemër të axhendës së organizatës Gratë, Paqja dhe Siguria.”
Shtetet e Bashkuara janë kontribuesi i dytë më i madh në Fondin e Grave për Paqe dhe Çështjet Humanitare, duke kontribuar më shumë se 39 milionë dollarë që nga viti 2017. Shtetet e Bashkuara po punojnë me të tjerët për të rritur barazinë gjinore në forumet ndërkombëtare dhe misionet paqeruajtëse.
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim vajzat që gëzojnë më pak të drejta se nënat e tyre, të mbijetuarat e dhunës, aktivistet dhe të rejat që luftojnë për mbrojtjen e lirive themelore, ndërsa ato ngrihen për të mbështetur atë që është e drejtë”, tha ambasadorja Thomas-Greenfield.