Vendimi i administratës së Presidentit Trump për të pezulluar dhe rishikuar programet e ndihmës së Shteteve të Bashkuara për botën e jashtme dhe për të ristrukturuar Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar ka ngritur një pyetje në lidhje me angazhimin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara ndaj ndihmës për botën e jashtme. USAID është agjencia e ndihmave për botën e jashtme e qeverisë amerikane, që vlerësohet të ketë shpërndarë mbi 43 miliardë dollarë ndihmë në vitin 2023.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio, i cili është vënë në krye të USAID-it, theksoi se ndryshimi në USAID "nuk ka të bëjë me përfundimin e ndihmës për botën e jashtme".
"Ndryshimi ka të bëjë me strukturimin e agjencisë në një mënyrë që çon përpara interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara."
Sekretari Rubio vuri në dukje se statuti që krijoi USAID-in e bëri të qartë se agjencia merr udhëzime nga Presidenti, Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe Sekretari i Shtetit dhe në dy dekadat e fundit ajo nuk e ka bërë këtë.
“Preferenca jonë ishte të rishikonim të gjithat programet e USAID-it nga lart poshtë. Cilat janë të gjitha programet që financojmë në mbarë botën? ... Cilat janë në linjë me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara? Dhe cilat janë ato nga të cilat duhet të heqim dorë?”
Një rishikim dhe mbikëqyrje e tillë u detyrohet taksapaguesve amerikanë, tha Sekretari Rubio.
“Këto nuk janë fonde private. Këto janë fondet e taksapaguesve amerikanë dhe ne kemi detyrimin t'i shpenzojmë ato me mençuri. Një pjesë e këtyre parave mund të përdoren për përparësitë tona reale. Kjo ishte shpresa jonë.”
Fatkeqësisht, USAID-i nuk ishte bashkëpunues, tha Sekretari Rubio.
“Në Departamentin e Shtetit, drejtuesit e programeve tona pranuan të rishikonin angazhimet tona dhe për këtë arsye çdo ditë ne po miratojmë ndihma humanitare në në kuadër të programeve të ndryshme të Departamentit të Shtetit.”
Por, Sekretari Rubio tha se në USAID disa individë “po injoronin urdhërat për rishikimin e ndihmave, duke vazhduar të dorgnin ndihma pa në kundërshtim të kërkesave tona dhe në mosbindje të drejtpërdrejtë”.
Departamenti i Shtetit tani po angazhon në mënyrë të hapur misionet diplomatike në të gjithë botën që kanë një prani të USAID-it për të identifikuar se cilat programe të ndihmave janë në përputhje me interesat e Shteteve të Bashkuara.
Ndihmat që përputhen me këto synime, do të mbeten në fuqi, tha Sekretari Rubio, "sepse ato çojnë përpara interesin tonë kombëtar, na bëjnë më të fortë dhe krijojnë begati, jo vetëm për ne, por edhe për partnerët dhe aleatët tanë".