Accessibility links

Breaking News

Rusia po përpiqet të sigurojë armatime nga Koreja e Veriut


(FILE) Russia's Defense Minister Sergei Shoigu attends a reception hosted by Kim Jong Un.
(FILE) Russia's Defense Minister Sergei Shoigu attends a reception hosted by Kim Jong Un.

“Rusia po përpiqet të arrijë një marrëveshje me Korenë e Veriut për të siguruar sasi të konsiderueshme municionesh të ndryshme që do të përdoren kundër Ukrainës”, tha ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Linda Thomas-Greenfield.

Ndërsa Rusia vazhdon luftën e saj të paligjshme kundër Ukrainës, agresorit po i mbarohen materialet luftarake. Për të ripërtërirë rezervat që po mbarohen, Rusia po u drejtohet vendeve ndaj të cilave Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka vënë sanksione, duke u ndaluar atyre shitjen e armëve.

Në fund të gushtit, Japonia, Koreja e Jugut, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara lëshuan një deklaratë të përbashkët duke dënuar Rusinë për përpjekjet e saj për të blerë armë nga Koreja e Veriut. “Negociatat midis Rusisë dhe Koresë së Veriut për blerjen e armëve po përparojnë në mënyrë aktive”, tha Përfaqësuesja e Përhershme e Shteteve të Bashkuara në OKB, Linda Thomas-Greenfield. “Rusia po përpiqet të arrijë një marrëveshje me Korenë e Veriut për të siguruar sasi të konsiderueshme municionesh të ndryshme që do të përdoren kundër Ukrainës”,

“Në marrëveshjet e mundshme mund të përfshihet edhe sigurimi i lëndëve të para që do ta ndihmonin industrinë bazë të mbrojtjes ruse”, tha ajo.

“Për të siguruar armatimet, Rusia do të shkelë rezolutat e Këshillit të Sigurimit, përfshirë rezolutat për të cilat ka votuar vetë Rusia. Çdo marrëveshje e tillë armësh do të ishte një shkelje serioze e rezolutave të miratuara njëzëri nga Këshilli i Sigurimit, pas provave të kaluara bërthamore dhe lëshimeve të raketave balistike nga Koreja e Veriut”.

Fakti është se, “Kjo nuk është hera e parë që Rusia ka bërë përpjekje për të shkelur rezolutat e Këshillit të Sigurimit për të vazhduar luftën e saj të paligjshme kundër Ukrainës", tha ambasadorja Thomas-Greenfield. “Tani ka prova të pakundërshtueshme se Rusia ka blerë dronë nga Irani në kundërshtim me një rezolutë tjetër për të cilën ka votuar”.

“Rusia i ka përdorur dronët në sulme ndëshkuese kundër infrastrukturës kritike në Ukrainë”, tha ajo.

“Mënyra e sjelljes së Rusisë, shpërfillja e përgjegjësive të saj si anëtare e Këshillit të Sigurimit, përkrahja ndaj regjimeve që përhapin armë bërthamore, është e papranueshme”, tha ambasadorja Thomas-Greenfield.

“Për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin veprime të drejtpërdrejta, duke ekspozuar dhe sanksionuar individë dhe subjekte që punojnë për të lehtësuar marrëveshjet e armëve midis Rusisë dhe Koresë së Veriut”.

“Ne nuk mundemi, dhe nuk do të qëndrojmë të heshtur ndërsa mbledhim të dhëna se Rusia vazhdon t’u drejtohet regjimeve mashtruese në përpjekje për të siguruar armë dhe pajisje për të mbështetur luftën e saj brutale”, tha ajo.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët dhe partnerët për të identifikuar, ekspozuar dhe kundërshtuar përpjekjet ruse për të blerë pajisje ushtarake nga Koreja e Veriut ose çdo shtet që është i përgatitur të mbështesë luftën e Rusisë në Ukrainë”, tha ambasadorja Thomas-Greenfield.

“Kjo është një çështje urgjente për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.

XS
SM
MD
LG