Accessibility links

Breaking News

Hipokrizia e Rusisë mbi çështjen vendosjes së armëve bërthamore në hapësirë


(FILE) A rocket blasts off at the Vostochny cosmodrome in the far eastern Amur region, Russia.
(FILE) A rocket blasts off at the Vostochny cosmodrome in the far eastern Amur region, Russia.

“Ne kemi dëgjuar presidentin Putin të thotë publikisht se Rusia nuk ka ndërmend të dislokojë armë bërthamore në hapësirë. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, Rusia nuk do t’i kishte vënë veton kësaj projektrezolute”, tha ambasadori Wood.

Pesëmbëdhjetë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së votuan në fund të prillit mbi një rezolutë për ndalimin e armëve bërthamore në hapësirë. Trembëdhjetë përfaqësues votuan pro rezolutës, Kina abstenoi dhe vetëm një vend anëtar, Rusia, votoi kundër.

“Më 24 prill, Rusia i vuri veton një projektrezoluteje që do të kishte konfirmuar qëllimin e përbashkët të të gjitha vendeve për parandalimin e një gare armësh në hapësirë dhe bënte thirrje për eksplorimin dhe përdorimin e hapësirës për qëllime paqësore”, tha Robert Wood, Përfaqësues i Shteteve të Bashkuara për Çështjet Politike në OKB.

“Miratimi i projektrezolutës do të kishte konfirmuar detyrimet e të gjitha vendeve që janë pjesë e Traktatit e Hapësirës për të mos vendosur asnjë objekt që mbart armë bërthamore, apo ndonjë lloj tjetër të armëve të shkatërrimit në masë, në orbitën e Tokës. Pjesë e këtij traktati janë 115 vende, përfshirë Rusinë dhe Kinën”, tha ai.

“Projektrezoluta gjithashtu do t'u kishte bërë thirrje vendeve anëtare që të mos prodhojnë armë të posaçme bërthamore për përdorim në orbitë. Ajo do të kishte reduktuar rrezikun e një shpërthimi bërthamor në hapësirë.”

Mbrojtja e vetos nga Rusia përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së përbëhej nga një listë akuzash kundër Shteteve të Bashkuara dhe vendeve perëndimore, duke përfshirë pretendimet se perëndimi ka plane për vendosjen e armëve bërthamore në hapësirë. Rusia më pas paraqiti rezolutën e saj duke kërkuar ndalimin e vendosjes së çdo lloj arme në hapësirë.

Rezoluta e Rusisë “kishte për qëllim të shkaktonte ndasi, e jo të bashkonte vendet anëtare”, tha ambasadori Wood.

“Kjo është një fasadë diplomatike që fsheh qëllimet e vërteta të Rusisë. E vërteta është se Rusia tashmë ka disa armë konvencionale anti-satelitore në orbitë, njërën prej të cilave e testoi në vitin 2019. Rusia ka kërcënuar vazhdimisht se do vendoste në shënjestër satelitët, duke përfshirë satelitët komercialë”.

Në të vërtetë, "Ekzistojnë informacione të besueshme se Rusia po zhvillon një satelit të ri që mund të pajiset me armë bërthamore", tha ambasadori Wood. “Ne kemi dëgjuar presidentin Putin të thotë publikisht se Rusia nuk ka ndërmend të dislokojë armë bërthamore në hapësirë. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, Rusia nuk do t’i kishte vënë veton kësaj projektrezolute”.

“Veprimet e Rusisë hedhin dyshime të konsiderueshme mbi angazhimin e saj për të respektuar detyrimet e Traktatit të Hapësirës, duke rritur shqetësimet mbi pasojat që kjo mund të ketë për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, tha ambasadori Wood.

"Për këtë arsye është jetike që të gjithë ne të ngremë zërin sot në mbështetje të Traktatit të Hapësirës dhe ndalimit në mënyrë të qartë të vendosjes së armëve bërthamore në orbitë."

XS
SM
MD
LG