Takimi midis Presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump, anëtarëve të administratës së tij dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy përfundoi me një diskutim të ashpër më 28 shkurt. Presidenti Zelenskyy u largua papritur nga Shtëpia e Bardhë dhe nënshkrimi i planifikuar i një marrëveshjeje kritike për mineralet midis Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës, që shihet si një hap i mundshëm drejt përfundimit të luftës në Ukrainë, nuk u bë.
Pak kohë pas takimit, Presidenti Trump postoi në rrjetin Truth Social: “Kam ardhur në përfundimin se Presidenti Zelenskyy nuk është gati për paqe nëse përfshihet Amerika, sepse ai mendon se përfshirja jonë i jep atij një avantazh të madh në negociata. Nuk dua avantazhe, dua PAQE. Ai mund të kthehet kur të jetë gati për paqe.”
Në një intervistë në emisionin "This Week" të kanalit ABC, Sekretari i Shtetit Marco Rubio theksoi se përfundimi i konfliktit duke e përfshirë Rusinë në negociata është qëllimi i Presidentit Trump.
“Ne po përpiqemi t'i japim fund luftës. Ju nuk mund t'i jepni fund luftës nëse dy palët nuk përfshihen në negociata, duke filluar me rusët, dhe ky është vlerësimi i Presidentit", tha Sekretari Rubio. “Nuk po ju premtoj se është e mundur. Nuk po ju them se ka 90 për qind gjasa të realizohet. Unë them se shanset për paqe janë në nivelin zero nëse nuk i ftojmë ata në bisedime. Sa më shpejt që njerëzit ta kuptojnë se kjo është një luftë e rëndë që po shkon në një drejtim të gabuar me vdekje, shkatërrim dhe rrezik për një konflikt më të gjerë, aq më shpejt ata do ta kuptojnë se ka hapësirë për përparim.”
Sekretari Rubio vuri në dukje se si çdo marrëveshje tjetër paqeje edhe kjo do të duhet të ketë masa mbrojtëse të qëndrueshme.
"Por kjo fillon me hapin e parë, pra me angazhimin e të dyja palëve për të parë nëse kjo është e mundur", tha Sekretari Rubio. “Të gjithë flasin për garanci për të siguruar paqen. Së pari ju duhet të keni një paqe. ... Dhe këtë e kuptuan ukrainasit. Atyre iu shpjegua vazhdimisht. ... "Mos bëni asgjë për ta prishur atë." Për fat të keq, pikërisht këtë bëri Zelenskyy."
Sekretari Rubio shprehu shpresën se Presidenti Zelenskyy do ta kuptojë se Shtetet e Bashkuara në të vërtetë po përpiqen të ndihmojnë vendin e tij përpara se të pësojë mijëra viktima të tjera. "Ka ardhur koha për t'i përfshirë rusët në negociata", deklaroi Sekretari Rubio, "dhe të shohim nëse ka një rrugë përpara, që do t'i jepte fund këtij konflikti dhe do të siguronte që ai të mos përsëritej kurrë."