“Shtetet e Bashkuara dënojnë në termat më të fortë të mundshëm lëshimin e një rakete balistike ndërkontinentale nga Koreja e Veriut më 30 tetor”, deklaroi ambasadori Robert Wood, Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara për Çështjet Politike në OKB.
Koreja e Veriut vazhdon të avancoj programin e saj të paligjshëm të raketave balistike dhe ka lëshuar mbi 100 raketa balistike që nga fillimi i vitit 2022. “Këto prova raketore përbëjnë shkelje flagrante të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha ambasadori Woods.
“Secila provë me raketa ndihmon Korenë e Veriut më tej në përmirësimin e programeve të saj të armëve. Këto janë përpjekje të papranueshme për të minuar paqen dhe sigurinë globale dhe për të na bërë të gjithëve më pak të sigurt.”
Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka përgjegjësinë të kërkojë llogari nga Koreja e Veriut për veprimet e saj. Megjithatë, Kina dhe Rusia vazhdimisht mbrojnë Korenë e Veriut nga përballja me pasojat për veprimet e saj, tha ambasadori Wood.
“Pavarësisht se janë anëtarë të përhershëm të këtij Këshilli, Rusia dhe Kina e kanë mbrojtur paturpësisht Phenianin nga çdo pasojë, ndëshkim apo dënim për veprimet të tij. Në mars, Rusia i dha Kim Jong Unit një dhuratë, duke mbyllur punën e Panelit të Ekspertëve të Komisionit 1718, pasi Koreja e Veriut furnizoi Rusinë me raketa balistike dhe armë të tjera për luftën e saj brutale kundër Ukrainës. Kina, me abstenimin e saj për zgjatjen e mandatit të Panelit, i tregoi qartë botës se ku qëndron në përpjekjet për frenimin e përhapjes së armëve nga Koreja e Veriut.”
“I mbrojtur me ndihmën e Moskës dhe Pekinit nga monitorimi më i afërt i aktiviteteve të tij që shkelin sanksionet, Pheniani, çuditërisht, është inkurajuar të vazhdojë të avancojë programet e tij të paligjshme të raketave balistike, armëve bërthamore dhe armëve të shkatërrimit në masë”, paralajmëroi ambasadori Wood.
Koreja e Veriut ka dërguar rreth 10,000 ushtarë në Rusi dhe forcat ruse i kanë trajnuar këta ushtarë për përdorimin e artilerisë, dronëve dhe operacionet bazë të këmbësorisë, paralajmëroi ambasadori Wood.
“Lloji i trajnimit që Rusia u ofron këtyre forcave, duke përfshirë pastrimin e llogoreve, tregon se Rusia synon t'i përdorë këto trupa në operacionet e saj në vijën e parë të frontit. Nëse këto trupa angazhohen në operacione luftarake apo ato të mbështetjes së operacioneve luftarake kundër Ukrainës, ato do të bëheshin objektiva legjitime ushtarake.”
Ambasadori Wood i bëri thirrje Rusisë dhe Kinës që t'i bashkohen anëtarëve të tjerë të Këshillit të Sigurimit në denoncimin e përbashkët të të veprimeve të Koresë së Veriut. Ai më tej u kërkoi të gjitha vendeve anëtare të OKB-së që të zbatojnë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të punojnë për të frenuar aktivitetet e prokurimit dhe flukset e të ardhurave të Koresë së Veriut, që përdoren për të mbështetur programet e saj të paligjshme të raketave balistike.