Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga përshkallëzimi i fundit i agresionit rus në Ukrainën lindore dhe nga raportet e besueshme për shtimin e trupave ruse dhe lëvizjeve në kufijtë e Ukrainës dhe Krimesë së pushtuar.
Në një konferencë për shtyp, Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price theksoi se lëvizjet shqetësuese të ushtrisë ruse u paraprinë nga shkeljet e armëpushimit të korrikut 2020 midis Ukrainës dhe Rusisë. Kjo çoi në vdekjen e katër ushtarëve ukrainas në mars dhe në plagosjen e dy anëtarëve të tjerë të personelit ukrainas. Tetë ukrainas të tjerë humbën jetën në prill.
"Ne i kemi kërkuar Rusisë një shpjegim të këtyre provokimeve, por më e rëndësishmja, ajo që kemi sinjalizuar drejtpërdrejt me partnerët tanë ukrainas është një mesazh garancish," tha zoti Price.
Konflikti i tanishëm midis Rusisë dhe Ukrainës filloi në vitin 2014 me kapjen, pushtimin dhe përpjekjen për aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe ka vazhduar me luftimet midis trupave ukrainase dhe forcave të drejtuara nga Rusia, gjë që ka çuar në vdekjen e më shumë se 13,000 njerëzve, sipas Kombeve të Bashkuara.
Zëdhënësi Price tha se përballë shkeljeve të fundit të armëpushimit nga
Rusia dhe grumbullimit të trupave në kufijtë e Ukrainës dhe në Krimenë e pushtuar, zyrtarë nga e gjithë qeveria e Shteteve të Bashkuara janë angazhuar me homologët e tyre ukrainas për të theksuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Mesazhi i tyre është se Shtetet e Bashkuara "do të shqetësoheshin nga çdo përpjekje nga ana e Moskës, qoftë brenda territorit rus, apo brenda Ukrainës sovrane - për të frikësuar partnerin tonë, Ukrainën."
"Ne i qëndrojmë në krah Kievit përballë këtij kërcënimi dhe agresioni," deklaroi zoti Price.