Accessibility links

Breaking News

Dënohen anëtarët e opozitës në Bjellorusi


Shtetet e Bashkuara reaguan ndaj dënimit të motivuar politikisht për anëtarët e opozitës në Bjellorusi, Maria Kolesnikova dhe Maxim Znak.

Zonja Kolesnikova, fituese e çmimit ndërkombëtar “Gra të Guximshme” u dënua me 11 vjet burg, pasi ajo mbështeti publikisht kandidatët që sfiduan sundimin 26-vjeçar të Aleksandër Lukashenko.

Zoti Znak, një tjetër udhëheqës i lartë opozitar po ashtu u dënua me 10 vjet burg. Në kohën kur u dha vendimi nga gjykata, si zonja Kolesnikova dhe zoti Znak kishin kaluar pothuajse një vit në paraburgim.

“Për fat të keq, këto dënime janë dëshmi të tjera që tregojnë shpërfilljen totale nga ana e regjimit për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të popullit të Bjellorusisë”, deklaroi Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

“Zonja Kolesnikova dhe zoti Znak meritonin një proces gjyqësor transparent pas akuzave të rreme të ngritura ndaj tyre, proces i cili nuk u zhvillua”, theksoi më tej Sekretari Blinken.

Si një shtet pjesëmarrës në Organizatën për Sigurinë dhe Bashkëpunim në Evropë, Bjellorusia është zotuar të respektojë të drejtën e çdo individi për një proces të drejtë gjyqësor, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme. Po ashtu Bjellorusia duhet të respektojë të drejtat për lirinë e shprehjes dhe tubimin paqësor.

Ashtu si çdo qytetar i Bjellorusisë, zonja Kolesnikova dhe zoti Znak kanë të drejtë të gjykohen nga një gjykatë e pavarur, në përputhje me kushtetutën e Bjellorusisë dhe detyrimet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Shtetet e Bashkuara mbështesin aspiratat e popullit bjellorus për një të ardhme demokratike, të begatë në një vend të lirë dhe të pavarur.

Më 9 gusht, SHBA publikoi një “Urdhër Ekzekutiv” që e bën regjimin e zotit Lukashenko përgjegjës për korrupsionin si dhe për sulmet ndaj demokracisë dhe të drejtat e njeriut.

Sekretari Blinken përsëriti “thirrjen e tij për t’i dhënë fund fushatës së represionit kundër popullit të Bjellorusisë, të respektohen të drejtat të tyre njerëzore brenda dhe jashtë vendit; si dhe të lirohen menjëherë dhe pa kushte të gjithë të burgosurit politikë, përfshirë zonjën Maria Kolesnikova dhe zotin Maxim Znak”.

Është koha që autoritetet bjelloruse të fillojnë një dialog të mirëfilltë me opozitën demokratike dhe anëtarët e shoqërisë civile që çojnë vendin në zgjedhje të lira dhe të ndershme.

XS
SM
MD
LG