Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën për t’u mbrojtur nga sulmet brutale të Rusisë është më shumë sesa thjesht mbështetje e një partneriteti të ngushtë. Ajo është një angazhim "për të mbështetur rregullat dhe normat ndërkombëtare, për të mbrojtur vlerat demokratike dhe për t'u bërë ballë diktatorëve", tha Nënpresidentja Kamala Harris në Samitin e fundit të Zvicrës për Paqen në Ukrainë.
“Agresioni i Rusisë nuk është vetëm një sulm ndaj banorëve dhe lirive të njerëzve në Ukrainë. Ai nuk është vetëm një sulm ndaj sigurisë globale të ushqimit dhe rrjetit të furnizimit me energji. Agresioni i Rusisë është gjithashtu një sulm ndaj rregullave, normave ndërkombëtare dhe parimeve të mishëruara në Kartën e OKB-së.”
Injorimi i normave të kahershme të Kartës së Kombeve të Bashkuara është një kërcënim serioz për sigurinë globale. Do të ketë pasoja shkatërruese nëse vendet lejohen të sulmojnë në mënyrë të paligjshme fqinjët e tyre.
“Nëse bota nuk reagon kur një agresor pushton vendin e tij fqinj, nuk ka asnjë dyshim se agresorët e tjerë do të marrin guxim të bëjnë të njëjtën gjë. Kjo mund të krijoj kushtet e sulmeve, kaosit dhe paqëndrueshmërisë, që kërcënon të gjitha vendet.”
Në përpjekjet për t’iu kundërvënë veprimeve destabilizuese të Rusisë, Nënpresidentja Harris tha se samiti i paqes ka ofruar përfitime të dyfishta për të rritur sigurinë energjetike dhe atë ushqimore, dhe për t’u siguruar që "asgjë për fundin e kësaj lufte të mos mund të vendoset pa Ukrainën". Megjithatë, udhëheqësi rus Vladimir Putin ka paraqitur një propozim që e bën pikërisht këtë, tha ajo.
“Ne duhet të themi të vërtetën. Ai nuk bën thirrje për negociata. Ai bën thirrje për dorëzim. Amerika e mbështet Ukrainën jo për bamirësi, por sepse është në interesin tonë strategjik. Ne mbështesim Kievin, ashtu si delegacionet e tjera nga më shumë se 90 vende, të cilët gjithashtu kanë një interes strategjik për një paqe të drejtë në Ukrainë.”
Lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës kërcënon unitetin dhe sigurinë globale. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën dhe të vazhdojnë të vendosin sanksione ndaj Rusisë, tha Nënpresidentja Harris. "Dhe ne do të vazhdojmë të punojmë drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, të bazuar në parimet e Kartës së OKB-së dhe vullnetin e popullit të Ukrainës."
Mbështetja për Ukrainën dhe ajo për sigurinë globale janë çështje të ndërlidhura
“Agresioni i Rusisë është gjithashtu një sulm ndaj rregullave, normave ndërkombëtare dhe parimeve të mishëruara në Kartën e OKB-së”, thotë Nënpresidentja Harris.