Është e vërtetë se gjatë gjithë konfliktit me Izraelin, "Hamasi ka keqpërdorur në mënyrë të përsëritur infrastrukturën civile, si shkollat dhe spitalet, për të fshehur armë, për të strehuar luftëtarë dhe për të koordinuar sulmet kundër Izraelit", tha Dorothy Shea, Zëvendës Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në OKB. Megjithatë, "lufta e Izraelit është me Hamasin dhe jo me civilët palestinezë, që grupi terrorist pretendon në mënyrë të rreme së po i përfaqëson".
“Ndonëse po lufton me Hamasin, Izraeli ka një detyrim moral të frenojë dëmtimin e civilëve. Ne nuk duam të shohim shndërrimin e spitaleve në skena dhune. Askush nuk përfiton nga kjo, veçanërishtë civilët që as nuk e filluan këtë konflikt dhe as nuk kanë mjete për ta përfunduar atë. Ata kanë nevojë urgjente për kujdes shëndetësor”, tha ajo.
“Është jetike që Izraeli të respektojë ligjin ndërkombëtar humanitar dhe të ndërmarrë të gjitha hapat e mundshëm për të shmangur dëmtimin e civilëve”, tha ambasadorja Shea.
"Shumë civilë në Gaza janë të uritur, pa ilaçe, ujë të pijshëm të pastër ose strehim të përshtatshëm. Ne ia kemi bërë të qartë Izraelit se duhet të bëjë më shumë për të zgjidhur këto mungesa humanitare".
“Ne kemi qenë të qartë për hapat specifikë që Izraeli duhet të ndërmarrë; duke përfshirë rritjen e hyrjes ndihmave ushqimore, ilaçeve dhe furnizimeve të tjera thelbësore në Gaza, duke marrë parasysh se tani jemi në stinën e dimrit", tha ajo. “Nuk duhet të ketë zhvendosje të dhunshme, as politikë të urisë në Gaza, e cila do të kishte pasoja të rënda si nga ligji i Shteteve të Bashkuara ashtu edhe ai ndërkombëtar.”
“Ne duhet të shohim një rritje të ndihmave humanitare të ofruara menjëherë. Vetëm një rrjedhje e qëndrueshme e ndihmës, ushqimit, ujit të pastër, furnizimeve mjekësore në Gaza do të sillte lehtësim dhe do të adresonte nivelet katastrofike të pasigurisë ushqimore.”
“Përpjekjet për arritjen e një armëpushimi mbeten të vështira. Sfida për të ndihmuar një Autoritet Palestinez të rigjallëruar të rindërtojë Gazën pa Hamasin është e madhe”, tha ambasadori Shea.
“Megjithatë, së pari duhet të trajtojmë situatën emergjente humanitare, sepse jeta e shumë njerëzve është në rrezik. Jetët e civilëve palestinezë në Gaza dhe jetët e pengjeve që kanë vuajtur rëndë që kur Hamasi filloi këtë konflikt të tmerrshëm më 7 tetor (2023).”
“Ne duhet t'u japim palestinezëve një të ardhme shpresëdhënëse me vetëvendosje, dinjitet dhe siguri. Ne kemi nevojë që Izraeli të ndihet i sigurt brenda kufijve të tij”, tha ambasadorja Shea.
“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të angazhohen për arritjen e një armëpushimi dhe marrëveshjeje për lirimin e pengjeve, që do të lejonte rritjen e ndihmave humanitare për civilët palestinezë. Thjesht nuk ka alternativë tjetër që do të çonte drejt paqes së qëndrueshme dhe qetësisë rajonale.”