Accessibility links

Breaking News

Ndërthurja e sfidave të urisë globale dhe krizës klimatike


Bujqësia po përballet me një kombinim historikisht të paprecedentë sfidash: nevojën për më shumë prodhime brenda një kohe më të shkurtët, me më pak sipërfaqe të mbjella dhe më pak ujë për vaditje, si rezultat i përshkallëzimit të konfliktit.

“Bujqësia po përballet me një kombinim historikisht të paprecedentë sfidash: nevojën për më shumë prodhime brenda një kohe më të shkurtër, me më pak sipërfaqe të mbjella dhe më pak ujë për vaditje, si rezultat i përshkallëzimit të konfliktit dhe ndryshimeve të shpejta klimatike”, thotë Cary Fowler, i dërguari special i administratës së Presidentit Biden për çështjet e urisë globale.

Megjithatë, në të njëjtën kohë, tha Nënsekretari i Shtetit për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, Jose Fernandez, “ky është një moment kritik për sigurinë ushqimore”.

“Në vitin 2021, më shumë se 160 milionë njerëz në mbarë botën përjetuan pasiguri të theksuar ushqimore, një rritje prej 19% nga një vit më parë.”

“Çështja e sigurisë ushqimore është bërë edhe më urgjente dhe efektet e pasigurisë ushqimore janë të përhapura dhe shkatërruese”, tha Nënsekretari Fernandez.

“Kur ka pasiguri ushqimore, fermerët humbasin mjetet e jetesës. Prindërit shpenzojnë orë të tëra çdo ditë në përpjekje për të siguruar vaktin e ardhshëm për familjet e tyre. Fëmijët e uritur e kanë të vështirë të arsimohen dhe vuajnë pasoja të pakthyeshme shëndetësore. Popullatat tashmë të pambrojtura janë gjithmonë më të goditura, dhe pasiguria ushqimore gjithashtu pengon rritjen ekonomike dhe shton rrezikun e konflikteve të dhunshme dhe trazirave civile”.

Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj luftës globale kundër pasigurisë ushqimore, përmes trajtimit të shkaqeve themelore të urisë, si edhe duke plotësuar nevojat imediate të atyre që vuajnë në mbarë botën, tha Nënsekretari Fernandez.

Së pari, ne po punojmë për të adresuar ndërprerjen globale të zinxhirit të furnizimit ushqimor dhe për të mobilizuar burimet për të përmbushur nevojat urgjente humanitare. Për këtë qëllim, që nga shkurti, Shtetet e Bashkuara kanë miratuar afro 2.6 miliardë dollarë ndihma urgjente ushqimore në shkallë globale.

Së dyti, ne po bashkëpunojmë me vendet partnere për të zbutur mungesën globale të plehrave kimike për bujqësinë.

Së treti, ne po vazhdojmë të rrisim kapacitetet bujqësore dhe qëndrueshmërinë përmes nismës së qeverisë amerikane “Feed the Future” kundër urisë globale dhe sigurisë ushqimore.

Së katërti, ne po punojmë me partnerë të shumtë, institucione financiare ndërkombëtare dhe organizata të tjera shumëpalëshe për të ofruar lehtësim të menjëhershëm të situatës dhe për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve të ushqimeve për njerëzit në situata të vështira.

Përfundimisht, për të arritur këto synime, ne po intensifikojmë angazhimin diplomatik në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe në forumet ndërkombëtare. Kjo përpjekje do të shërbejë për të ndihmuar më mirë vendet më të prekura nga pasiguria ushqimore nga vendet që janë në gjendje më të mirë.

“Kjo është një krizë humanitare; është një krizë shëndetësore. Është një çështje e sigurisë ekonomike dhe kombëtare. E thënë thjesht, është një çështje morale”, tha Nënsekretari Fernandez. “Asnjë fëmijë - asnjë fëmijë në botë nuk duhet të jetë i uritur”.

XS
SM
MD
LG