Ndërsa Shtetet e Bashkuara përgatiten për një transferim paqësor të pushtetit më 20 janar 2025, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan shprehu pikëpamjet e tij mbi kërcënimet më urgjente të sigurisë me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara.
“Në nivelin strategjik, konkurrenca me Republikën Popullore të Kinës do të jetë përcaktuese për botën gjatë 10, 20 dhe 30 viteve të ardhshme. Kështu që kjo çështje duhet të jetë një përparësi kryesore për administratën e ardhshme.”
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Sullivan nënvizoi se për një menaxhim me përgjegjësi të konkurrencës mes tyre, Shtetet e Bashkuara dhe Kina duhet t’i mbajnë të hapura kanalet e komunikimit në çdo nivel, veçanërisht në atë ushtarak.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan tha se sfida "më urgjente" me të cilën Shtetet e Bashkuara duhet të merren menjëherë "është Irani dhe grupet e mbështetura nga Teherani, që vazhdojnë të ndërmarrin veprime që kërcënojnë drejtpërdrejt amerikanët dhe interesat amerikane në Lindjen e Mesme.”
“Përveç Kinës dhe Iranit, kemi edhe agresionin e Rusisë në Ukrainë, që paraqet një kërcënim më të madh për sigurinë evropiane dhe atë globale. Pastaj kemi Korenë e Veriut, e cila ka dërguar trupa për angazhim në këtë luftë.”
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare theksoi se suksesi në trajtimin e çështjeve urgjente të politikës së jashtme, duke përfshirë konkurrencën afatgjatë të Shteteve të Bashkuara me Kinën, kërkon një angazhim me mbështetje dypartiake.
“Shumë aspekte të politikës së kësaj administrate lidhur me Kinën dhe Indo-Paqësorin kanë patur mbështetje dypartiake. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me qasjen ndaj Ukrainës. Ka patur mbështetje të fortë dypartiake në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat lidhur me ndihmat dhe strategjinë për Kievin. Pra, nga këndvështrimi ynë, ne do të dëshironim që kjo të vazhdojë.”
Këto vendime tani duhet të merren nga administrata e ardhshme, tha Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Sullivan. Ai shtoi se "ne duhet të vazhdojmë të mbrojmë investimin në aleancat tona, burimet e forcës në vend, mbrojtjen e teknologjive tona të avancuara, sepse ne mendojnë se këto nuk janë çështje politike. Ato janë çështje amerikane që mund t'u shërbejnë të gjithë njerëzve të këtij vendi."