Jimmy Carter, presidenti i tridhjetë e nëntë i Shteteve të Bashkuara, vdiq më 29 dhjetor 2024, në shtëpinë e tij në Plains të Xhorxhias, në moshën 100-vjeçare. Ai vdiq një vit pas bashkëshortes së tij Rosalynn, e cila u nda nga jeta në vitin 2023. Ata ishin të martuar për 77 vjet.
Karriera e Presidentit Carter në shërbim të publikut filloi në vitin 1943 si kadet në Akademinë e Marinës amerikane. Më vonë ai shërbeu në flotën e Atlantikut dhe atë të Paqësorit përpara se të zgjidhej për të shërbyer në programin elitar të nëndetëseve bërthamore.
Demokrati Carter, lindi dhe u rrit në Xhorxhia dhe në vitin 1970 u zgjodh guvernator i këtij shteti. Në vititn 1976 ai fitoi zgjedhjet presidenciale, duke mundur Presidentin e atëhershëm republikan Gerald Ford. Carter shërbeu një mandat në postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara. Ai humbi zgjedhjet ndaj rivalit republikan Ronald Reagan në vitin 1980, kryesisht për shkak të paaftësisë së tij për të siguruar lirimin e 52 pengjeve amerikanë, që u rrëmbyen nga islamistët iranianë.
Një pikë kulmore e presidencës së tij ishte Marrëveshja e Camp David-it e vitit 1978, një traktat historik i paqes mes Izraelit dhe Egjiptit. Për shkak të kontributit të tij në arritjen e kësaj marrëveshjeje, Presidenti Carter së bashku me Presidentin e Egjiptit Anwar Sadat dhe Kryeministrin izraelit Menachem Begin në vitin 1978 mori Çmimin Nobel për Paqen.
Carter ishte vetëm 56 vjeç kur u largua nga Zyra Ovale. Në katër dekadat pasuese ai u përqëndrua në punën humanitare për të cilën fitoi respekt në nivel global. Për vite me radhë, ai dhe Roslynn u angazhuan në punë vullnetare, duke ndërtuar shtëpi për të varfërit me organizatën jofitimprurëse “Habitat for Humanity”. Një i krishterë i përkushtuar dhe i përjetshëm, Carter gjithashtu jepte mësim të dielave në shkollën e kishës së tij në Plains të Xhorxhias.
Në mbarë botën, Carter u bë i njohur pas presidencës së tij për angazhimin në zgjidhjen paqësore të konflikteve, avancimin e demokracisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, kryesisht përmes Qendrës Carter, të cilën ai dhe ish-zonja e parë e themeluan në Universitetin Emory në Atlanta në vititn 1982.
Ish Presidenti Carter u nderua me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2002 për përpjekjet e tij për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe paqen në vende si Etiopia, Eritrea, Bosnja dhe Haiti.
Presidenti Joe Biden e lavdëroi ish Presidentin Carter duke e quajtur atë “një njeri me karakter të madh, guxim, shpresë dhe optimizëm. Me dhembshurinë dhe qartësinë e tij morale, ai punoi për të parandaluar dhe kontrolluar sëmundjet, për të krijuar paqen, për të avancuar të drejtat civile dhe të drejtat e njeriut, për të mbështetur zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të strehuar të pastrehët dhe për të mbrojtur gjithmonë grupet më të pambrojtura të njerëzve. Ai shpëtoi, ngriti dhe ndryshoi jetën e njerëzve anembanë globit.”