Me të vërtetë kjo është një periudhë kohore me dinamikë të jashtëzakonshme dhe të rëndësishme në marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Koresë, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken gjatë vizitës së realizuar së fundi në Korenë e Jugut.
“Përgjatë 70 viteve të fundit, kjo marrëdhënie është rritur nga një aleancë kyçe e sigurisë në një partneritet jetik botëror”, thotë ai. “Pothuaj në secilën çështje që ndikon në popujt tanë, Shtetet e Bashkuara dhe Koreja po punojnë shumë ngushtë me njëra tjetrën. Dhe ky nuk është një aksident. Është reflektim i përkushtimit tonë ndaj kësaj marrëdhënie dhe ndaj këtij rajoni.”
Sfida kryesore me të cilën përballen dy shtetet është mirëmbajtja dhe përforcimi i sigurisë dhe stabilitetit në Azinë Lindore dhe përreth botës. Në veçanti, Shtetet e Bashkuara dhe Republika e Koresë kanë “një përputhje interesash strategjike” përsa i përket “qasjes së tyre ndaj Kinës, përfshirë në raport me detet e Kinës Lindore dhe Jugore dhe Ngushticën e Tajvanit”, tha Sekretari Blinken. Po ashtu ia vlen të nënvizohet se “Koreja, Japonia, Australia dhe Zelanda e Re janë pjesëmarrës të rregullt dhe aktivë të NATO-s.”
“Koreja vazhdon të përkrahë përpjekjet e guximshme të Ukrainës për të mbrojtur popullin e saj, të mbrojë tokën, të mbrojë demokracinë e saj nga agresioni rus,” tha ai.
Përfundimisht, dy shtetet janë të bashkuara në qasjen e tyre ndaj veprimeve provokuese të Republikës Popullore Demokratike të Koresë, tha Sekretari Blinken:
“Po shohim që RPDK-ja po i jep pajisje ushtarake Rusisë për të vazhduar agresionin e saj ndaj Ukrainës, por ne po ashtu po shohim se si Rusia po i jep teknologjinë dhe përkrahjen RPDK-së për programet e saja ushtarake. Dhe ky përbën një shqetësim të vërtetë për sigurinë e Gadishullit korean, është shqetësim real për sistemin kundër përhapjes së armëve bërthamore, është shqetësim i vërtetë për agresionin rus në Ukrainë dhe shqetësim i vërtetë për shkak të shkeljes së një mori rezolutash të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.”
“Ne do të vazhdojmë të punojmë me Republikën e Koresë, me shtetet tjera të interesuara, për të identifikuar, ekspozuar dhe kundërshtuar përpjekjet e Rusisë për të siguruar pajisje ushtarake nga RPDK-ja dhe nga cilido shtet që është i përgatitur të përkrahë luftën e saj kundër Ukrainës,” tha Sekretari Blinken. “Po ashtu, po e shohim me shumë kujdes përkrahjen që Rusia po i jep RPDK-së.”
Pas 70 vitesh, aleanca e Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Koresë është më e fuqishme dhe po bëhet edhe më e fortë. Sipas fjalëve të Ministrit të jashtëm të Koresë së Jugut Park Jin, sa më e pasigurt të jetë skena botërore, aq më e fuqishme do të jetë aleanca ndërmjet dyja vendeve.