Accessibility links

Breaking News

Kërcënimi nga programi i Pakistanit për prodhimin e raketave me rreze të gjatë veprimi


(FILE) Pakistani Army soldier salutes while standing on an air defence missile system during Pakistan Day military parade in Islamabad, Pakistan, March 23, 2022.
(FILE) Pakistani Army soldier salutes while standing on an air defence missile system during Pakistan Day military parade in Islamabad, Pakistan, March 23, 2022.

"Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të ruajnë regjimin global kundër përhapjes së armëve dhe Pakistani është një partner i rëndësishëm në këtë përpjekje", tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Vedant Patel.

Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për kërcënimin që vjen nga programi i raketave me rreze të gjatë veprimi nga Pakistani, një vend i armatosur me armë bërthamore. Gjatë fjalimit të fundit në Fondacionin Carnegie për Paqe Ndërkombëtare në Uashington, Zëvendës Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jon Finer tha se nëse Islamabadi vazhdon të zhvillojë teknologji raketore gjithnjë e më të sofistikuar, "Pakistani do të ketë aftësinë për të goditur objektiva përtej Azisë Jugore, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara. Kjo do të shtonte pyetjet rreth synimeve reale të Pakistanit.”

Zëvendës Këshilltari i Sigurisë Kombëtare tha se Shtetet e Bashkuara kanë ngritur shqetësimet e tyre me Islamabadin, por "fatkeqësisht, ne mendojmë se Pakistani nuk po i trajton ato me seriozitetin e duhur".

Për këtë arsye, administrata e Presidentit Biden ka marrë një sërë hapash për të trajtuar zhvillimin e mëtejshëm të sistemeve të raketave me rreze të gjatë veprimi nga Pakistani, vuri në dukje zoti Finer.

“Gjatë vitit të kaluar, ne kemi njoftuar tre raunde sanksionesh kundër subjekteve jo-pakistaneze që kanë ofruar mbështetje për programin e raketave balistike të Pakistanit. Më 18 dhjetor, ne vondosëm sanksione të drejtpërdrejta ndaj Kompleksit të Zhvillimit Kombëtar në pronësi të Pakistanit ... hera e parë që kemi sanksionuar një ndërmarrje shtetërore pakistaneze të lidhur me prodhimin e raketave.”

Përveç Kompleksit të Zhvillimit Kombëtar, i cili mbikëqyr programin e raketave me rreze të gjatë veprimit të Pakistanit, Shtetet e Bashkuara sanksionuan tre entitete të tjera të vendosura në Karaçi, që kanë punuar për Kompleksin e Zhvillimit Kombëtar apo kanë lehtësuar prokurimin e mjeteve të nevojshme për raketat balistike të Pakistanit: ‘Akhtar and Sons Private Limited’, ‘Affiliates International’ dhe ‘Rockside Enterprise’”.

Zëvendës Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Finer theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë qenë një partner i kahershëm i Pakistanit në fushën e zhvillimit, luftën kundër terrorizmit dhe çështje të tjera të sigurisë. "Ne i kemi ofruar mbështetje Islamabadit gjatë periudhave të vështira," shtoi ai, "dhe vazhdojmë të dëshirojmë një marrëdhënie bashkëpunimi në këto fusha me interes të përbashkët."

Në një konferencë të fundit për shtypin, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Vedant Patel tha: "Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të ruajnë regjimin global kundër përhapjes së këtyre llojeve të raketave dhe Pakistani është një partner i rëndësishëm në këtë përpjekje".

“Megjithatë, ne kemi qenë të qartë në lidhje me shqetësimet tona mbi programin e raketave balistike me rreze të gjatë veprimi të Pakistanit.”

“Departamenti i Shtetit do të vazhdojë të përdorë sanksionet dhe mjete të tjera për të mbrojtur sigurinë tonë kombëtare dhe për të siguruar që eksportuesit amerikanë dhe sistemet financiare amerikane nuk mund të përdoren në mënyrë të paligjshme nga subjektet që i përhapin këto armë”, deklaroi zëdhënësi Patel. "Dhe ne shpresojmë të vazhdojmë të angazhohemi në mënyrë konstruktive me qeverinë pakistaneze për këto çështje."

XS
SM
MD
LG