Accessibility links

Breaking News

SHBA dënon sulmin terrorist të Hamasit ndaj Izraelit


(FILE) Smoke billows over the skies of the Israeli city of Ashkelon after a rocket attack from the Gaza Strip.
(FILE) Smoke billows over the skies of the Israeli city of Ashkelon after a rocket attack from the Gaza Strip.

“Terrorizmi kurrë nuk mund të justifikohet. Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten dhe njerëzit e tij”, thotë Presidenti Joe Biden.

Më 8 tetor, Hamasi nga Rripi i Gazës nisi një sulm të befasishëm nga toka, ajri dhe deti kundër civilëve izraelitë. Mbi një mijë vetë u vranë në këtë sulm, duke përfshirë të paktën 14 shtetas amerikanë. “Shtetet e Bashkuara dënojnë ashpër këtë sulm të rëndë kundër Izraelit nga terroristët e Hamasit”, tha Presidenti Biden.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken e konsideroi sulmin e Hamasit si “sulmin më të rëndë ndaj Izraelit që nga lufta e Yom Kupurit e vitit 1973”, e cila filloi pikërisht 50 vjet më parë. “Por ka një dallim të madh mes këtyre dy luftërave”, theksoi zoti Blinken gjatë një interviste për emisionin “Meet the Press” të kanalit NBC.

“Konflikti i vitit 1973 ishte një luftë mes shteteve dhe ushtrive të tyre me një vijë të qartë. Ky sulm masiv terrorist kishte në shënjestër civilët nëpër rrugë dhe shtëpitë e tyre, burrat, gratë dhe fëmijët, në anën tjetër të kufirit të Gazës. Një person në karrocë invalidi, i cili i ka mbijetuar holokaustit, gra dhe fëmijë janë marrë peng”, tha ai.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Mbrojtjes tha se Hamasi ka kryer “veprime të liga, të ngjashme me ato të kryera nga Shteti Islamik” kundër qytetarëve izraelitë, duke “djegur shtëpi dhe masakruar pjesëmarrës në një festival muzike”. Ai tha se Departamenti i Mbrojtjes “po punon me shpejtësi për të furnizuar Izraelin me municion dhe pajisje të nevojshme”. Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin njoftoi se një luftanije amerikane tashmë është dërguar në ujërat pranë Izraelit.

Lidhur me mundësinë e përfshirjes së Iranit në sulmin e Hamasit, Sekretari Blinken tha se “Nuk kemi asnjë informacion që dëshmon se Irani ishte drejtpërdrejt i përfshirë në këtë sulm. Por, ne jemi duke e hetuar këtë dhe do t’i analizojmë faktet”.
“Por ne e dimë se Irani ka patur marrëdhënie dhe ka bashkëpunuar me Hamasin për një kohë të gjatë. Mbështetja për Hamasin ka qenë një nga arsyet që ne kemi vendosur sanksione ndaj më shumë se 400 shtetasve iranianë dhe më shumë se 400 kompanive iraniane”, tha ai.

Shtete e Bashkuara janë “të gatshme të ofrojnë mbështetje të duhur për qeverinë dhe popullin e Izraelit”, tha Presidenti Biden. “Terrorizmi kurrë nuk mund të justifikohet. Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten dhe njerëzit e tij. Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar vendet e tjera armike të Izraelit kundër shfrytëzimit të kësaj situate. Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Izraelin është e fortë dhe e palëkundur”, tha ai.

XS
SM
MD
LG