Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë kërkesën e prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për lëshimin e urdhër-arresteve për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministrin e tij të mbrojtjes, Yoav Gallant, si dhe tre udhëheqësve të Hamasit për akuzat për krime lufte, tha në një konferencë për shtypin zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
“Nuk duhet të ketë ekuivalencë midis Izraelit dhe Hamasit. Hamasi është një organizatë brutale terroriste që kreu masakrën më të rëndë ndaj hebrenjve që nga Holokausti dhe ende mban peng dhjetëra njerëz të pafajshëm, përfshirë shtetas amerikanë”.
Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk ka juridiksion mbi këtë çështje, tha zëdhënësi Miller.
“GJNP-ja u krijua nga shtetet pjesëmarrëse si një gjykatë me juridiksion të kufizuar. Këto kufizime janë të rrënjosura në parimet e shmangies së përplasjes së juridiksioneve, të cilat duket se nuk janë zbatuar këtu për shkak të nxitimit të prokurorit për të kërkuar këto urdhër-arreste, në vend që t'i lejonte sistemit ligjor izraelit një mundësi të plotë dhe kohë për të vazhduar deri në fund procesin”.
“Në raste të tjera, prokurori ka kaluar hetimet në sistemet gjyqësore të vendeve, ku dyshohet sa ka patur shkelje, duke u dhënë atyre kohë për të hetuar çështjet. Prokurori i kësaj çështjeje nuk i ka dhënë të njëjtën mundësi Izraelit, i cili zhvillon hetime të vazhdueshme për akuzat ndaj personelit të qeverisë së tij”, vuri në dukje zoti Miller.
“Ka gjithashtu pyetje thellësisht shqetësuese për procesin. Pavarësisht se nuk është anëtar i gjykatës, Izraeli ishte i përgatitur të bashkëpunonte me prokurorin dhe e kishte bërë të qartë këtë”, tha zëdhënësi Miller.
Në fakt, vetë prokurori kishte planifikuar të vizitonte Izraelin për të diskutuar hetimin dhe për të dëgjuar pikëpamjen e qeverisë izraelite. Por personeli i prokurorit nuk udhëtoi në Izrael ndërkohë që vetë prokurori njoftoi këto akuza gjatë një paraqitje televizive. “Këto rrethana vënë në pikëpyetje legjitimitetin dhe besueshmërinë e këtij hetimi”, deklaroi zëdhënësi Miller.
“Në fund, ky vendim nuk sjellë asnjë përfitim dhe mund të rrezikojë përpjekjet për të arritur një marrëveshje armëpushimi që do të çonte në lirimin e pengjeve në Rripin e Gazës dhe do t’i hapte rrugën dërgimit të më shumë ndihmave humanitare”, paralajmëroi zëdhënësi Miller.
"Këto janë synimet e Shteteve të Bashkuara pavarësisht këtyre veprimeve të prokurorit të GJNP-së."
Presidenti Joe Biden e quajti kërkesën për urdhër-arreste ndaj udhëheqjes izraelite "skandaloze". “Ne gjithmonë do të mbështesim Izraelin kundër kërcënimeve ndaj sigurisë së tij”, shtoi ai.