Për shkak të përshkallëzimeve të fundit nga Irani dhe aleatët e tij, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, nën drejtimin e Presidentit Joe Biden, po ndërmerr hapa shtesë për të forcuar pozicionin e mbrojtjes së SHBA-së në Lindjen e Mesme.
Siç vuri në dukje Koordinatori i Sigurisë Kombëtare për Komunikimin Strategjik John Kirby, ka pasur “një rritje të sulmeve me raketa dhe drone nga grupet e mbështetura nga Irani kundër bazave ushtarake që strehojnë personelin amerikan në Irak dhe Siri, dhe ne jemi thellësisht të shqetësuar nga mundësia për ndonjë përshkallëzim të ndjeshëm të këtyre sulmeve në ditët në vijim.”
“Sekretari i Mbrojtjes ka dërguar dy grupe sulmuese ajrore në atë zonë dhe ne tani po dërgojmë më shumë mbrojtje ajrore në bazat amerikane në rajon”, tha ai.
Shtetet e Bashkuara, tha zoti Kirby, janë plotësisht të vetëdijshme se regjimi iranian, nëpërmjet Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, po mbështet aleatët e tij, përfshirë Hamasin dhe Hezbollahun:
“Dhe ne e dimë se Irani është duke i monitoruar nga afër këto ngjarje dhe në disa raste, duke lehtësuar në mënyrë aktive këto sulme dhe duke nxitur të tjerët që mund të duan të shfrytëzojnë konfliktin për të mirën e tyre ose për atë të Iranit. Ne e dimë se qëllimi i Iranit është të përpiqet ta mohojë një gjë të tillë, por ne nuk do t'i lejojmë ata ta bëjnë një gjë të tillë. Ne gjithashtu do të përgjigjemi ndaj çdo kërcënimi ndaj interesave tona në rajon... Siç ka thënë Presidenti Biden, mesazhi ynë për çdo aktor armiqësor që synon të përshkallëzojë ose zgjerojë këtë konflikt është shumë i thjeshtë: Mos e bëni. ”
Sekretari i Shtetit Antony Blinken ka thënë se përhapja e mundshme e konfliktit aktual është një shqetësim i thellë për vendet në të gjithë Lindjen e Mesme. Ai nënvizoi se forcimi i qëndrimit të mbrojtjes së SHBA-së në rajon nuk është një provokim, por një pengesë.
Sekretari Blinken vuri në dukje gjithashtu se shumica dërrmuese e njerëzve në Lindjen e Mesme duan të ndjekin një vizion të ndryshëm nga ai i Hamasit dhe Hezbollahut:
“Ata duan një rajon ku vendet punojnë së bashku, ku marrëdhëniet janë normalizuar, ku ka integrim më të madh, ku njerëzit bashkëpunojnë, studiojnë së bashku, udhëtojnë për biznes… Alternativa do të ishte e zymtë: është Hamasi. është Hezbollahu, është Irani, shkatërrimi që sjellin, është vdekja, është terrorizmi, është errësira.”
Ndërsa punojmë për të tejkaluar këtë krizë, tha Sekretari Blinken, ne duhet ta mbajmë gjallë vizionin e parë.
SHBA, përpjekje për të frenuar zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme të nxitur nga Irani
Për shkak të përshkallëzimeve të fundit të nxitura nga Irani dhe aleatët e tij, Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin hapa shtesë për të forcuar pozicionin mbrojtjes të SHBA-së në Lindjen e Mesme.