Në vijim, një editorial që reflekton qëndrimet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara:
Pas masakrave që Hamasi bëri në Izrael, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken shkoi në Lindjen e Mesme. Ai e filloi vizitën e tij në Izrael dhe pastaj vizitoi Jordaninë, Bahreinin, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Egjiptin. “Erdhëm me katër qëllime”, tha ai.
“Ta bëjmë të qartë se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Izraelin; të parandalojmë zgjerimin e konfliktit në vende tjera; të punojmë për të siguruar lirimin e pengjeve, përfshirë shtetasit amerikanë; dhe t’i përgjigjemi krizës humanitare në Gazë”.
“Ekzistojnë dy vizione shumë të ndryshme mbi të ardhmen dhe se çfarë Lindja e Mesme mund dhe duhet të jetë”, tha Sekretari Blinken.
“Ekziston vizioni, që ne e përkrahim fuqishëm, sipas të cilit shtetet e rajonit normalizojnë marrëdhëniet, integrohen, punojnë bashkarisht me një qëllim të përbashkët, dhe që përkrah dhe avancon të drejtat dhe aspiratat e palestinezëve”.
“Ekziston edhe një vizion tjetër, të cilin Hamasi e ka demonstruar në formën më tmerruese, dhe ky është vizioni i vdekjes, shkatërrimit, nihilizmit, terrorizmit”, tha Sekretari Blinken.
“Ky është vizioni që nuk bën asgjë për të ndihmuar aspiratat e palestinezëve, që nuk ndihmon për krijimin e një të ardhme më të mirë për popujt në rajon dhe që bën çmos për të sjellë errësirë të plotë mbi të gjithë ata që mundet... Dhe nuk kam asnjë dyshim se cila është rruga që shumica e njerëzve në rajon do të zgjedhin dhe do ta preferonin, nëse u jepet mundësia”.
Sekretari Blinken tha se “civilët nuk duhet të vuajnë për shkak të krimeve të Hamasit. Tani jemi angazhuar në mënyrë aktive me vendet e rajonit, me Kombet e Bashkuara, me Izraelin, për t’u siguruar, brenda mundësive tona, që njerëzit të mos dëmtohen dhe që mund të lejohet ndihma që iu nevojitet – ushqimi, uji, barnat”. Për ta bërë këtë gjë, Rafah, pika më jugore e daljes nga Gaza në Gadishullin egjiptian të Sinait, “do të rihapet”, tha Sekretari Blinken.
“Është periudhë e vështirë dhe sfiduese”, tha Sekretari Blinken, “por ka vendosmëri... për ta tejkaluar dhe për ta bërë këtë gjë së bashku”.
Sekretari amerikan i Shtetit Blinken tha se SHBA-të kanë katër qëllime: të qëndrojnë me Izraelin, të parandalojnë zgjerimin e konfliktit, të sigurojnë lirimin e pengjeve dhe të përgjigjen ndaj krizës humanitare në Gaza