SHBA thirrje Kinës për përmbajtje në veprimet e saj në Ngushticën e Tajvanit

People look at a screen showing news footage of military drills conducted in the Taiwan Strait by the PLA, in Beijing, October 14, 2024.

Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, gjeneralmajori Pat Ryder përmes një deklarate e quajti operacionin ushtarak të Kinës "të papërgjegjshëm, joproporcional dhe destabilizues".

Republika Popullore e Kinës kreu stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë më 14 tetor, duke angazhuar një numër rekord avionësh luftarakë në fluturime rreth Tajvanit dhe ishujve të tij periferikë. Pekini tha se stërvitjet e tij ushtarake kishin për qëllim të lëshonin një "paralajmërim të fortë" për forcat e pavarësisë në Tajvan.

Stërvitjet erdhën katër ditë pasi presidenti i Tajvanit Lai Ching-te tha në një fjalim vjetor me rastin e Ditës Kombëtare se Kina nuk ka të drejtë të përfaqësojë Tajvanin dhe deklaroi angazhimin e tij për t'i "rezistuar aneksimit apo ndërhyrjeve" të Pekinit.

Stërvitjet ushtarake njëditore, të cilat përfshinin simulimin e vendosjes së një bllokade rreth ishullit vetëqeverisës, u dënuan nga Tajvani, udhëheqësit e të cilit i konsideruan një "provokim të paarsyeshëm".

Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, gjeneralmajori Pat Ryder përmes një deklarate e quajti operacionin ushtarak të Kinës "të papërgjegjshëm, joproporcional dhe destabilizues".

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, përmes një deklarate shprehu shqetësim serioz për “stërvitjet ushtarake të Ushtrisë Popullore Çlirimtare në ngushticën e Tajvanit dhe rreth Tajvanit. Përgjigja e Kinës me provokime ushtarake ndaj një fjalimi rutinë vjetor (për nder të Ditës Kombëtare) është e pajustifikuar dhe rrezikon përshkallëzimin.”

Zoti Miller i bëri thirrje Republikës Popullore të Kinës që "të veprojë me përmbajtje dhe të shmangë çdo veprim të mëtejshëm që mund të dëmtojë paqen dhe qëndrueshmërinë në Ngushticën e Tajvanit dhe më të gjerë. Kjo është thelbësore për paqen dhe begatinë rajonale dhe një çështje ndërkombëtare. Ne vazhdojmë të monitorojmë aktivitetet e Republikës Popullore të Kinës dhe të koordinohemi me aleatët dhe partnerët në lidhje me shqetësimet tona të përbashkëta.”

"Masat frenuese mbeten të forta në Indo-Paqësor", theksoi gjeneralmajori Ryder, "dhe Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka besim në pozicionin e tij aktual të forcave dhe operacioneve të tij në rajon. E gjithë bota ka një interes për paqen dhe qëndrueshmërinë përgjatë Ngushticës së Tajvanit. Ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët dhe partnerët për të avancuar vizionin tonë të përbashkët për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur, pavarësisht sjelljes destabilizuese të Republikës Popullore të Kinës.”

Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj politikës së “një Kine”, të udhëhequr nga Akti i Marrëdhënieve me Tajvanin, Tre Komunikatat e Përbashkëta dhe Gjashtë Garancitë.