Në Deklaratën e Pavarësisë, themeluesit e Amerikës përkufizuan të drejta të patjetërsueshme si "jeta, liria dhe ndjekja e lumturisë". Këto të drejta konsiderohen "të qenësishme për të gjithë njerëzit dhe përafërsisht mishërojnë atë që nënkuptojmë sot kur themi të drejtat e njeriut", tha Peter Berkowitz, drejtor i Planifikimit të Politikave të Departamentit të Shtetit.
Këto të drejta nuk mbrojnë vetëm amerikanët në vend, por formojnë bazën për një politikë të jashtme të moralshme, tha zoti Berkowitz:
“Ne morëm mbi vete përgjegjësinë për t'i mbrojtur këto të drejta në vitin 1948 kur drejtuam përpjekjen në Kombet e Bashkuara për të miratuar Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Ka pasur presidentë nga të dyja partitë politike, të cilët kanë përkrahur të drejtat e njeriut. Dhe angazhimet themeluese të Amerikës përfshijnë respektin për dinjitetin që i përket të gjitha qenieve njerëzore".
Një vit më parë, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo mblodhi Komisionin për të Drejtat e Patjetërsueshme me një mandat specifik, tha Drejtori Berkowitz:
"Sekretari Pompeo u kërkoi anëtarëve të Komisionit të shqyrtonin mënyra për të ritheksuar angazhimin e palëkundur të Amerikës ndaj të drejtave të njeriut në politikën e jashtme, në dokumentet themeluese të Amerikës - Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara - në traditën Kushtetuese Amerikane dhe gjithashtu për të ndihmuar të kuptojmë angazhimin e padiskutueshëm të Amerikës ndaj të drejtave të njeriut në dritën e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, të cilën ne e nënshkruam në vitin 1948".
Të drejtat e patjetërsueshme ndikojnë drejtpërdrejt në marrëdhëniet e SHBA me vendet individuale, tha drejtori Berkowitz:
"Ne e shohim atë, për shembull, në dënimet e përsëritura të Sekretarit Pompeo për burgosjen e ujgurëve myslimanë në kampe kineze të internimit. Ne e pamë atë në vitet 1980 kur Ronald Regani mbrojti të drejtat e njeriut të disidentëve që Bashkimi Sovjetik i kishte burgosur mizorisht në gulagët e tyre. Ne e dëgjojmë atë kur administrata shpreh shqetësime për Republikën Islamike të Iranit, e cila gjithashtu shtyp shtetasit e saj".
Ndërsa "të drejtat e njeriut sigurisht nuk janë tërësia e politikës së jashtme amerikane", vuri në dukje Drejtori Berkowitz, ato janë "një komponent thelbësor, një pjesë kryesore përbërëse e politikës së jashtme amerikane".