Presidenti Joe Biden dhe udhëheqësit nga grupi i demokracive të njohura si G7-a, deklaruan angazhimin e tyre për të luftuar punën e detyruar në zinxhirët globalë të furnizimit, kërcënimet nga sulmet kibernetike dhe korrupsionin.
Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre të G7-ës mbeten thellësisht të shqetësuara nga përdorimi i të gjitha formave të punës së detyruar në zinxhirët globalë të furnizimit, përfshi punën e detyruar të sponsorizuar nga shteti të grupeve të tilla si ujgurët dhe pakicat etnike dhe fetare në provincën Xinjiang të Kinës. Sektorët bujqësorë, të energjisë diellore dhe ato të veshjeve janë zinxhirët kryesorë të furnizimit që janë shqetësues në provincën Xinjiang. Udhëheqësit ranë dakord mbi rëndësinë e përkrahjes së të drejtave të njeriut dhe u angazhuan të mbrojnë individët nga puna e detyruar.
Përveç kësaj, vendet e G7 janë të përkushtuara për të zgjidhur bashkërisht kërcënimin nga rrjetet kriminale kibernetike. Kohët e fundit ka pasur ndërhyrje të konsiderueshme kibernetike që kanë prekur shumë vende anëtare të G7-ës dhe infrastrukturën kritike të vendeve të tjera, kompani prodhuese, firma elektronike dhe spitalet. Grupimet ndërkombëtare kriminale përdorin infrastrukturën, monedhën virtuale dhe rrjetet e pastrimit të parave dhe vënë në shënjestër viktima në të gjithë globin. Qeveritë dhe sektori privat duhet të punojnë së bashku për të siguruar që infrastrukturat kritike të përballojnë kërcënime të tilla.
Për më tepër, aktivitetet kibernetike keqdashëse duhet të hetohen dhe të ndiqen penalisht, dhe duhet të ngrihen mbrojtje kibernetike kolektive. Vendet individuale gjithashtu duhet të marrin masa kundër veprimtaritve kriminale që ndodhin brenda kufijve të tyre.
Vendet e G7-ës pranuan gjithashtu të ndërmarrin veprime kolektive për të luftuar korrupsionin. Presidenti Biden kohët e fundit deklaroi se hapat për të frenuar korrupsionin janë një interes thelbësor kombëtar i Shteteve të Bashkuara dhe nënshkroi një Memorandum të Sigurisë Kombëtare mbi Luftën Kundër Korrupsionit për të thelluar këtë detyrë të rëndësishme. Korrupsioni gërryen besimin e publikut; e bën qeverinë më pak të efektshme; shpërdoron burimet publike; dhe prish themelet e shoqërive demokratike. Për më tepër, korrupsioni është një kosto e madhe për ekonomitë dhe është tepër i padrejtë për qytetarët.
Së bashku me partnerët e saj të G7-ës, Shtetet e Bashkuara do të luftojnë kompanitë që fshehin taksat, do të kufizojnë aftësinë e aktorëve të këqinj për të pastruar paratë e pista përmes blerjeve të pasurive të patundshme, do të përmirësojnë ndarjen e informacionit në lidhje me korrupsionin dhe do të reformojnë ndihmën e huaj për t'a përqëndruar luftën kundër korrupsionit si një përparësi në të gjitha drejtimet. Shtetet e Bashkuara mirëpresin angazhimin e G7-ës për të ndërmarrë veprime kolektive në luftën kundër korrupsionit.
Siç tha Presidenti Biden, “Amerika është përsëri në rolin e saj drejtues në botë përkrah vendeve të tjera që ndajnë vlerat tona më të çmuara.”