Accessibility links

Breaking News

Rifillimi i negociatave bërthamore me Iranin


iran-nuclear-negotiations
iran-nuclear-negotiations

Irani ka rënë dakord të rifillojë negociatat bërthamore pas një ndërprerjeje prej pesë muajsh. Bashkimi Evropian, i cili po koordinon bisedimet, njoftoi se të gjithë pjesëmarrësit do të takohen për një raund të shtatë negociatash në Vjenë më 29 nëntor. Ata do të diskutojnë kthimin e ndërsjellë në bisedime të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në përputhje me Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit, (JCPOA).

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë në grupin P5+1 kohët e fundit i kërkuan Iranit "të shfrytëzojë mundësitë për të rikthyer mirëbesimin për të përfunduar negociatat tona si një çështje urgjente". Në një deklaratë të përbashkët, presidenti Joe Biden, kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Boris Johnson thanë: "Kjo është e vetmja mënyrë e sigurt për të shmangur një përshkallëzim të rrezikshëm, i cili nuk është në interesin e asnjë vendi".

Të katër udhëheqësit shprehën "shqetësim të madh dhe në rritje" se Irani ka përshpejtuar ritmin e hapave të tij provokues bërthamorë, duke përfshirë prodhimin e uraniumit shumë të pasuruar dhe metalit të uraniumit të pasuruar, dhe se Irani ka ulur bashkëpunimin dhe transparencën me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Të katër ata u zotuan "të sigurojnë që Irani kurrë nuk mund të zhvillojë një armë bërthamore".

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price pranoi gatishmërinë e Iranit për t'u kthyer në negociata. “Ne besojmë se mbetet e mundur të arrihet dhe zbatohet shpejt një marrëveshje për një rikthim të ndërsjellë në përputhje me JCPOA-n duke ngushtuar numrin relativisht të vogël të çështjeve që mbetën të pazgjidhura në fund të qershorit kur përfundoi raundi i 6-të,” tha ai. “Por ne kemi qenë gjithashtu të qartë, se kjo dritare e mundësive nuk do të jetë e hapur përgjithmonë…sidomos nëse Irani vazhdon të ndërmarrë hapa provokues bërthamorë.

"Ne sigurisht shpresojmë që kur delegacioni iranian të kthehet në Vjenë më vonë këtë muaj," tha zëdhënësi Price, "janë të gatshëm për të negociuar, për të negociuar shpejt dhe gjithashtu me mirëbesim".

XS
SM
MD
LG