Në samitin e ardhshëm të NATO-s në Madrid, aleanca do të miratojë një koncept të ri strategjik. Koncepti strategjik është një dokument që synon të nxjerrë në pah kërcënimet dhe sfidat me të cilat përballemi dhe të përcaktojë kursin e ardhshëm të NATO-s. Koncepti i ri do të gjejë zgjidhje për sfidat, duke përfshirë, por pa u kufizuar në aktivitetin keqdashës në hapësirën kibernetike, përpjekjet e konkurrentëve strategjikë për të dobësuar rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike tek siguria.
Në lidhje me Ukrainën, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të dërgojnë ndihmën e nevojshme. Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha në një konferencë të fundit për shtyp:
“Presidenti Biden njoftoi një paketë të re të rëndësishme të ndihmës për sigurinë për të armatosur Ukrainën me aftësi shtesë që i nevojiten për të mbrojtur veten kundër agresionit të vazhdueshëm rus. . . Ne lëvizëm shpejt për t'i dërguar Ukrainës sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh, në mënyrë që ata të mund të zmbrapsin agresionin e Rusisë dhe, nga ana tjetër, të mund të jenë në pozicionin më të fortë të mundshëm në çdo tryezë bisedimesh që mund të shfaqet."
Aleatët e NATO-s së bashku me partnerët e tjerë vendosën sanksione të paprecedentë, kontrolle të eksporteve dhe presion diplomatik mbi qeverinë ruse dhe fuqizuesit e saj. Gati 7 milionë ukrainas janë detyruar të largohen nga vendi i tyre ndërsa shumë të tjerë janë zhvendosur brenda Ukrainës. Vendet në të gjithë Evropën dhe më gjerë, përfshi Shtetet e Bashkuara, kanë mirëpritur ukrainasit që po ikin nga dhuna.
NATO-ja është e përgatitur të përballet me sfida si ato që kanë të bëjnë me mbrojtjen kibernetike, teknologjinë e avancuar dhe partneritete të zgjeruara me vendet anembanë botës. “Ne do të sigurohemi që të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”, deklaroi sekretari Blinken. "Që nga fillimi i luftës, ne kemi dislokuar më shumë se 20,000 trupa shtesë në krahun lindor të NATO-s".
“Shumë aleatë po rrisin gjithashtu praninë e tyre ushtarake në Evropën Lindore dhe Juglindore. Muajin e kaluar, Finlanda dhe Suedia, dy partnerë të vjetër të NATO-s, morën vendimin për të kërkuar anëtarësimin në NATO”, vuri në dukje sekretari Blinken.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht aplikimet e Finlandës dhe Suedisë. Të dy vendet janë më se të kualifikuara për t'u bërë anëtare të plota të aleancës sa më shpejt të jetë e mundur. Me anëtarësimin në NATO, këto dy vende do ta forcojnë NATO-n. Ne mezi presim t'i sjellim ata shpejt në aleancën më të fortë mbrojtëse në histori".
Shtetet e Bashkuara mezi presin të qëndrojnë përkrah me aleatët në Samitin e NATO-s në Madrid për të siguruar që aleanca të mbetet e fortë, elastike dhe e gatshme për sfidat e sotme dhe të së ardhmes.