Në një takim të këshillit të qytetit të Moskës në mars 2022, anëtari i këshillit të qytetit dhe aktivisti i mbrojtjes së të drejtave të njeriut Aleksei Gorinov kërkoi që takimi të fillonte me një moment heshtjeje në kujtim të fëmijëve dhe viktimat e tjera që po vdisnin në luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Disa javë më vonë, Gorinov u bë personi i parë i arrestuar bazuar në ligjet ruse të censurës për luftën. Ai u akuzua se e quajti sulmin rus ndaj Ukrainës një "luftë" në vend të "një operacion special ushtarak".
Në korrik 2022, Alexei u dënua për përhapje të informacionit të rremë lidhur me ushtrinë ruse. Gjykatësja ruse Olesya Mendeleeva e dënoi Gorinovin me shtatë vjet burg.
Më 31 dhjetor, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj gjykatëses Olesya Mendeleeva për rolin e saj në ndalimin arbitrar të Alexei Gorinovit. Zonja Mandeleeva u sanksionua në bazë të programit të sanksioneve globale “Magnitsky”, i cili synon autorët e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut dhe korrupsionit në mbarë botën.
Departamenti amerikan i Thesarit, në njoftimin për sanksionet vuri në dukje se gjatë gjyqit të Gorinovit, gjykatësja Mendeleeva, e cila njihet për dënimet e saj të gjata dhe të ashpra, "refuzoi të merrte në konsideratë dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtjes dhe arsyetoi se "reformimi" i Gorinovit do të ishte i pamundur pa burgim.” Departamenti i Thesarit gjithashtu theksoi se Alexei Gorinov ka pësuar abuzim fizik dhe mohim të trajtimit mjekësor në burg.
“Manipulimi nga Rusia i sistemit të saj ligjor po eliminon zërat kundërshtues dhe po mbyt të vërtetën për luftën e pambrojtur të Rusisë kundër Ukrainës”, tha përmes një deklarate nënsekretarit në detyrë i Departamentit të Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Bradley Smith.
Në një deklaratë të veçantë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller deklaroi: "Shtetet e Bashkuara janë në solidaritet me popullin rus, i cili po përballet me kërcënime, dhunë, hakmarrje dhe burgosje nga autoritetet e Federatës Ruse për ushtrimin e të drejtave themelore të njeriut. Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të Gorinovit dhe gjithë të tjerëve që Federata Ruse i ka ndaluar në mënyrë arbitrare. Ne mbetemi të përkushtuar në përpjekjet për të mbajtur përgjegjës autorët e shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut në Federatën Ruse.”